Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, të martën në mëngjes do të mbërrijë në Arabinë Saudite për të nisur udhëtimin katërditor nëpër rajonin e Gjirit Persik, një udhëtim që do të përqendrohet më shumë në marrëveshjet ekonomike sesa në krizat e sigurisë që kanë përfshirë rajonin, nga lufta në Gaza deri te kërcënimi i përshkallëzimit të programit bërthamor të Iranit.
Me një listë të udhëheqësve të fuqishëm të biznesit amerikan, përfshirë drejtorin ekzekutiv të Teslas dhe këshilltarin Elon Musk, presidenti amerikan do të vizitojë së pari Riadin - ku po zhvillohet Forumi i Investimeve Arabo-Amerikane - dhe të mërkurën do të vazhdojë për në Katar dhe të enjten për në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Trump ka thënë gjithashtu se mund të udhëtojë të enjten në Turqi për bisedime të mundshme ballë për ballë midis presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
Trumpi paralajmëron heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar të martën në Forumin e Investimeve në Riad të Arabisë Saudite se do të heq sanksionet ndaj Sirisë, në mënyrë që t'i japë vendit, siç ka thënë, "një shans për madhështi".
Njoftimi është pitur me ovacione të forta në sallën ku po mbahet forumi.
Shtëpia e Bardhë ndërkohë ka njoftuar se Trumpi pritet të ketë një përshëndetje të mërkurën me presidentin e përkohshëm të Sirisë, Ahmed al-Sharaa.
Trumpi do të takohet me presidentin e Sirisë, Ahmad al-Sharaa
Presidenti amerikan, Donald Trump, pritet të takohet të mërkurën me presidentin e përkohshëm të Sirisë, Ahmad al-Sharaa, gjatë qëndrimit të tij në Arabinë Saudite, ka njoftuar të martën Shtëpia e Bardhë.
Shtetet e Bashkuara kanë peshuar se si të trajtojnë al-Sharaan që kur ai e ka marrë pushtetin në dhjetor, raporton AP.
Udhëheqësit e Gjirit janë pro qeverisë së re në Damask dhe do të duan që edhe Trumpi t’i ndjekë hapat e tyre, duke besuar se është një mburojë kundër një rikthimi të ndikimit në Siri të Iranit, i cili ndihmoi në mbështetjen e qeverisë së Assadit gjatë një lufte civile dhjetëvjeçare.
Dikur SHBA-ja kishte ofruar 10 milionë dollarë për informacion rreth vendndodhjes së kryengritësit të njohur më parë nga emri i luftëtarëve si Abu Mohammed al-Golani.
Ai ishte bashkuar me radhët e kryengritësve të al-Kaidës që luftonin me forcat amerikane në Irak pas pushtimit të udhëhequr nga SHBA-ja në vitin 2003 dhe ende përballet me një urdhër arresti për akuzat për terrorizëm në Irak.
Presidenti i ri i Sirisë ishte kthyer në vendin e tij pas fillimit të konfliktit në vitin 2011 dhe drejtonte degën e al-Kaidës që dikur njihej si Fronti Nusra.
Ai më vonë ka ndryshuar emrin e grupit të tij dhe ka ndërpreë lidhjet me al-Kaidën përpara se ata të arrinin përfundimisht të rrëzonin Bashar Asadin në dhjetor.
Trump: Marrëdhëniet SHBA-Arabi Saudite, më të fuqishmë se kurrë
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka folur për marrëdhënie shumë të forta mes SHBA-së dhe Arabisë Saudite, gjatë Forumit të Investimeve që po mbahet në Riad, në kuadër të vizitës së Trumpit në vendet arabe.
“Sot ne marrim hapat e ardhshëm për ta bërë marrëdhënien tonë më të ngushtë, më të fortë dhe më të fuqishme se kurrë më parë”, ka thënë Trump.
"Dhe kështu do të mbetet”, ka shtuar ai.
Teksa ka lavdëruar punën e qeverisë së tij, Trumpi ka vazhduar duke thënë se administrata e tij ditëve të fundit ka arritur dy marrëveshje "historike" tregtare, duke i quajtur të dyja "të jashtëzakonshme".
Së pari, ai përmend marrëveshjen për tarifat me Mbretërinë e Bashkuar. Më pas, ai thotë se SHBA-ja ka arritur një "marrëveshje përparimi" me Kinën.
Trumpi më pas kalon te masat e brendshme dhe lavdëron edhe një herë fuqinë e ekonomisë së SHBA-së teksa përmend edhe rekordin e tij në detyrë deri më tani.
“Që nga momenti që filluam, ne kemi parë pasuri që është derdhur, dhe po derdhet në Amerikë”, është shprehur ai.
Arabia Saudite paralajmëron investime në SHBA deri në 1 trilion dollarë
Princi i Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, ka deklaruar në Forumin e Investimeve në Riad, në të cilën po merr pjesë edhe presidenti amerikan, Donald Trump, se Arabia Saudite dhe SHBA-ja kanë marrëdhënie të thella ekonomike.
Ai ka shtuar se dy liderët janë takuar për t’i thelluar këto marrëdhënie, raporton BBC.
“Investimet e përbashkëta ishin një nga shtyllat më të rëndësishme të marrëdhënieve tona ekonomike”, është shprehur ai.
Bin Salman ka shtuar se marrëveshja e nënshkruar të martën mes tij dhe Trumpit, që Arabia Saudite të investojë 600 miliardë dollarë në SHBA, mund të rritet në 1 trilion, në muajt në vijim.
Mohammed bin Salman më pas ka renditur disa aspekte të marrëveshjes, të cilat përfshijnë elemente ushtarake dhe teknologjike.
SHBA-ja nënshkruan marrëveshje 142 miliardë dollarëshe me Arabinë Saudite
Ndër marrëveshjet mes SHBA-së dhe Arabisë Saudite të shpallura të martën nga takimi i presidentit amerikan, Donald Trump me Princin saudit të Kurorës, Mohammed bin Salman është "marrëveshja më e madhe e shitjes së mjeteve të mbrojtjes në histori", ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.
Sipas njoftimit, marrëveshja vlen rreth 142 miliardë dollarë dhe përfshin pajisjen e Arabisë Saudite me "mjete luftarake dhe shërbime moderne nga dhjetëra firma të mbrojtjes amerikane".
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar po ashtu se Arabia Saudite do të investojë 600 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara.
Trumpi pritet të mbajë fjalim në një Forum të Investimeve që do të mbahet në Riad më vonë të martën.
Trumpi dhe Princi bin Salman nisin nënshkrimin e marrëveshjeve
Presidenti amerikan, Donald Trump dhe Princi saudit i Kurorës, Mohammed bin Salman kanë nisur nënshkrimin e disa marrëveshjeve strategjike midis dy vendeve.
Ata kanë nënshkruar marrëveshjen e partneritetit strategjik.
Mediat kanë raportuar se gjatë takimit mes tyre, në vizitën e Trumpit në Arabinë Saudite të martën Trumpi e ka quajtur Salman “një mik” dhe ka deklaruar se beson se ata kanë marrëdhënie shumë të mira.
“Besoj me të vërtetë që ne e pëlqejmë njëri-tjetrin shumë”, është dëgjuar Trumpi duke i thënë atij.
Mediat po ashtu raportojnë se gjatë takimit, të dy liderët kanë qëndruar veçmas nga pjesa tjetër e delegacioneve dhe po ashtu larg mediave, në sallën e madhe ku po zhvillohet takimi.
Trumpi mbërrin në Arabinë Saudite, Musku pjesë e delegacionit
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka mbërritur të martën në Arabinë Saudite për të nisur një turne katër-ditor në rajonin e Gjirit, duke u fokusuar në marrëveshjet ekonomike dhe jo në krizat e sigurisë, që variojnë nga lufta në Gaza deri te kërcënimi i përshkallëzimit mbi programin bërthamor të Iranit.
Shefi ekzekutiv i Teslas, njëkohësisht këshilltari i Trumpit, Elon Musk, si dhe liderë të tjerë të kompanive të fuqishme amerikane po shoqërojnë presidentin në këtë udhëtim.

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio dhe sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth janë gjithashtu pjesë e delegacionit.
Trumpi do të vizitojë fillimisht Riadin, vendin e Forumit të Investimeve Saudite-SHBA, ndërkaq të mërkurën do të shkojë në Katar dhe të enjten në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Gjatë ndalesës në Riad, Trump pritet t'i ofrojë Arabisë Saudite një paketë armësh me vlerë mbi 100 miliardë dollarësh, kanë thënë burimet për Reuters, e cila mund të përfshijë një sërë armësh të avancuara, përfshirë aeroplanët e transportit C-130.