Botë

Trumpi kërcënon Putinin para takimit të së premtes

Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë të mërkurën para gazetarëve se do të ketë “pasoja shumë të rënda” në rast se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk e pranon marrëveshjen që i jep fund luftës në Ukrainë, pas samitit të së premtes në Alaskë.

Ai ka shtuar më tutje se ka pasur “biseda të mira” me Putinin në të kaluarën, porse në momentin që është kthyer në shtëpi ka parë “raketa që kanë goditur një qendër për të moshuar apo një ndërtesë banimi dhe njerëzit janë të shtrirë të vdekur në rrugë”.

I pyetur nga gazetarët lidhur me raportimet se Rusia ka hakuar sistemet kompjuterike që menaxhojnë dokumentet e gjykatave federale të SHBA-së, Trumpi ka theksuar se do të ishte i gatshëm ta pyeste Putinin për këtë gjatë takimit të tyre.

“A jeni të habitur? Ata hakojnë”, iu është përgjigjur ai.

Krahas kësaj, Trumpi s’e ka përjashtuar mundësinë për takim trepalësh mes tij, Putinit dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të cilin është shprehur se mund të jetë “më produktiv” sesa takimi i përcaktuar për të premten në Alaskë.

“Në takimin e parë, do ta zbulojë se ku jemi dhe se çfarë po bëjmë”, ka deklaruar ai. “Do të kemi një takim të dytë të shpejtë midis presidentit Putin, presidentit Zelensky dhe meje, nëse ata do të dëshironin që unë të isha aty”.

E tek ka folur për bisedën e tij virtuale me liderët evropianë dhe Zelenskyn, Trump ka thënë se diskutimet ishin “shumë të mira”.

“Do t’i jepja notën 10, shumë miqësore”, është shprehur presidenti amerikan.