Presidenti Donald Trump do ta presë kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën, derisa tensionet po vazhdojnë të rriten në Lindjen e Mesme dhe negociatat po intensifikohen mbi frenimin e programit të armëve bërthamore të Iranit.
Netanyahu pritet t’i kërkojë Trumpit të ndjekë një marrëveshje që do ta ndalonte pasurimin e Iranit me uranium dhe do të kufizonte mbështetjen e tij për grupet si Hamasi dhe Hezbollahu.
“Do t’i paraqes presidentit këndvështrimin tonë lidhur me parimet e këtyre negociatave”, u tha Netanyahu gazetarëve përpara nisjes për në SHBA.
Irani ka deklaruar se nuk do ta kufizojë pasurimin me uranium nëse vendet perëndimore nuk lehtësojnë sanksionet që kanë rënduar ndjeshëm ekonominë e tij.
Vizita e së mërkurës shënon udhëtimin e tij të gjashtë në SHBA që nga rikthimi i Trumpit në detyrë, më shumë se çdo lider tjetër botëror.
Aleati i ngushtë i Trumpit, Netanyahu ka argumentuar prej kohesh se Irani përbën një kërcënim ekzistencial për sigurinë e Izraelit dhe ka nxitur SHBA-në të kufizojë ndikimin e Teheranit në rajon.
Vizita vjen në një kohë kur SHBA-ja po rrit praninë e saj ushtarake në Lindjen e Mesme, ndërsa Trumpi paralajmëron Teheranin për veprime nëse nuk arrihet një marrëveshje bërthamore.