Një sulm me dron ukrainas fundjavën e kaluar ka të ngjarë të ketë dëmtuar rreth 10% të flotës së bombarduesve strategjikë të Rusisë dhe të ketë goditur disa nga avionët ndërsa ata po përgatiteshin për sulme ndaj Ukrainës, ka thënë një zyrtar i lartë ushtarak gjerman.
"Sipas vlerësimit tonë, dhjetëra avionë janë dëmtuar, bombardues strategjikë TU-95 dhe TU-22, si dhe aeroplanë mbikëqyrës A-50", ka thënë gjenerali major gjerman Christian Freuding në një podcast në YouTube.
Aeroplanët e prekur A-50, të cilët funksionojnë në mënyrë të ngjashme me aeroplanët AWACS të NATO-s, ka të ngjarë të kenë qenë jo-operativë kur u goditën, ka thënë gjenerali që koordinon ndihmën ushtarake të Berlinit për Kievin dhe është në kontakt të ngushtë me ministrinë e Mbrojtjes të Ukrainës.
"Sa i përket flotës së bombarduesve me rreze të gjatë veprimi, 10% e saj është dëmtuar në sulm sipas vlerësimit tonë”, ka thënë ai.
Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se sulmi i guximshëm me dron i Ukrainës goditi deri në 20 avionë luftarakë rusë, duke shkatërruar rreth 10 prej tyre, kanë thënë dy zyrtarë amerikanë për Reuters, teksa ekspertët thonë se Moskës do t'i duhen vite për të zëvendësuar avionët e prekur.
Pavarësisht humbjeve, Freuding nuk sheh mundësinë për reduktim të sulmeve ruse kundër Ukrainës, duke vënë në dukje se Moska ende mban 90% të bombarduesve të saj strategjikë të cilët mund të lëshojnë raketa balistike dhe lundruese përveç hedhjes së bombave.
Sipas Freuding, Ukraina ka sulmuar dy fusha ajrore rreth 100 kilometra nga Moska, si dhe fushën ajrore Olenya në rajonin Murmansk dhe fushën ajrore Belaya, me dronë të trajnuar me ndihmën e inteligjencës artificiale.
Ai ka shtuar se bombarduesit që janë goditur ishin pjesë e të ashtuquajturës “triadë bërthamore e Rusisë”, e cila mundëson vendosjen e armëve bërthamore nga ajri, deti dhe toka.