Botë

Ukraina sulmon Moskën me qindra dronë, mbyllen dy aeroporte

Moske

Foto: Associated Press

Mbrojtja ajrore ruse ka rrëzuar dhjetëra dronë ukrainas që po shkonin drejt Moskës dhe gati 160 të tjerë mbi rajone të tjera, sulme që vranë të paktën një person dhe plagosën pesë të tjerë, kanë thënë zyrtarët rusë të hënën.

Rusia po përpiqet të shkatërrojë sistemin energjetik të Ukrainës, në luftën e cila po mbush gati katër vjet, ndërsa Kievi po përpiqet të rrëzojë rafineritë e naftës të eksportuesit të dytë më të madh të naftës në botë.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka thënë se 34 dronë ukrainas janë rrëzuar rrugës për në Moskë, një qytet i cili së bashku me rajonin përreth Moskës ka një popullsi prej më shumë se 22 milionë banorësh.

Nuk ka pasur raportime për dëme të mëdha në Moskë, ndonëse Rusia rrallë zbulon ndikimin e plotë të sulmeve ukrainase brenda territorit të saj, përveç nëse përfshihen civilë ose objekte civile.

Raportuesi rus i aviacionit “Rosaviatsiya” ka thënë se dy nga katër aeroportet e Moskës, aeroporti Domodedovo dhe aeroporti më i vogël Zhukovsky, u mbyllën përkohësisht për arsye sigurie. 

Ukraina nuk i ka komentuar ende sulmet ndonëse Kievi më parë ka thënë se ato synojnë shkatërrimin e infrastrukturës kyçe për zhvillimin e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Të dyja palët mohojnë se kanë synuar civilët, por mijëra kanë vdekur në konflikt, shumica dërrmuese e të cilëve janë ukrainas.