Në dokumentarin “Linja Zero: Brenda Luftës së Rusisë” të BBC-së, ushtarët kanë dhënë detaje se si ishin torturuar vetëm pse nuk kishin marrë pjesë në disa sulme, që i përshkruanin si misione vetëvrasëse. Trupat ruse i quajnë këto sulme “stuhi mishi”. Ushtarët aty dërgohen vazhdimisht në vijën e frontit për të provuar t’i dobësojnë forcat ukrainase
Katër ushtarë rusë kanë rrëfyer horrorin dhe brutalitetin e kushteve të palës së tyre në vijat e frontit me Ukrainën. Dy prej tyre kanë rrëfyer për BBC-në se i kanë parë edhe bashkëluftëtarët e tyre teksa ekzekutohen vetëm pse refuzonin disa urdhra.
Një ushtar ka treguar se ai ka parë një tjetër ushtar tek ekzekutohej me urdhër të komandantit, që ishte shpallur “Hero i Rusisë” më 2024.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Vetëm e pashë – dy-tre metra... klik-klak, bam”, ka treguar ai.
Një tjetër ushtar, nga një njësit tjetër, ka thënë se e ka parë komandantin e tij teksa i vret vetë katër persona.
“I njihja”, ka thënë ai për ushtarët e ekzekutuar. “Më kujtohet njëri prej tyre teksa bërtiste ‘mos gjuani, do të bëj gjithçka’”!
Një prej tyre po ashtu ka thënë se i ka parë rreth 20 trupa të ushtarëve në një gropë pasi ishin bërë “zero” nga komandantët. “Zero” është term që përdoret në zhargonin ushtarak rus për t’i ekzekutuar njerëzit e tu.
Në dokumentarin “Linja Zero: Brenda Luftës së Rusisë”, ushtarët kanë dhënë detaje se si ishin torturuar vetëm pse nuk kishin marrë pjesë në disa sulme, që i përshkruanin si misione vetëvrasëse. Trupat ruse i quajnë këto sulme “stuhi mishi”. Ushtarët aty dërgohen vazhdimisht në vijën e frontit për të provuar t’i dobësojnë forcat ukrainase.
Për herë të parë, ushtarët rusë nga vijat e frontit kanë thënë me zë se janë dëshmitarë të momenteve kur komandantët japin urdhra ekzekutimi për ushtarët e tyre.
Një nga ta, puna e të cilit ishte t’i identifikonte dhe numëronte ushtarët e vdekur, ka ofruar lista të detajuara që tregonin se ai ishte i vetmi i mbijetuar i një grupi prej 79 burrash me të cilët ishin mobilizuar bashkë. Për shkak se kishte refuzuar të shkonte në vijën e frontit, ai ka thënë se ishte torturuar duke e urinuar. Të tjerët në njësit që kishin refuzuar ishin torturuar me rrymë, ishin lënë pa ushqim e më pas ishin hedhur nëpër ‘stuhi mishi’ të paarmatosur, ka treguar ai.
Katër burrat, që janë në arrati, kanë treguar për dëshmitë e tyre, nga një lokacion jashtë Rusisë.
Gati e gjithë kundërshtia publike ndaj pushtimit rus të Ukrainës, është jashtë Rusisë. Numrat zyrtarë të vdekjeve nuk publikohen nga Moska, por sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Britanisë së Madhe, më shumë se 1.2 milionë trupa ruse janë vrarë ose lënduar që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022.
Qeveria e Rusisë ka thënë se forcat e saj të armatosura “operojnë me përmbajtje maksimale, për aq sa është e mundur në kushtet e konfliktit me intensitet të lartë, duke e trajtuar personelin me kujdes maksimal”.
“Pretendimet për dhunë dhe krime hetohen siç duhet”, ka thënë ajo. “Nuk jemi në gjendje që ta verifikojmë saktësinë e autenticitetin e informatës që na keni ofruar”.
Dëshmitë e dorës së parë nga katër burrat kanë vërtetuar edhe raportimet për shkelje të rendit dhe urdhrave në vijat e frontit në palën ruse.
Komandantë që vrasin ushtarët e tyre
Ilya, ushtar që identifikonte dhe numëronte të vdekurit, është një nga burrat që ka thënë se i ka parë ushtarët duke u vrarë nga komandantët.
Para luftës, 35-vjeçari kujdesej për fëmijët me nevoja të veçanta dhe autizëm në Kungur. Më pas në maj të 2024-tës, policia i kishte shkuar në shtëpinë e prindërve dhe i kishte thënë se po thirret nga autoritetet.
Ai më pas ishte mobilizuar krahas 78 burrave të tjerë në një qendër rekrutimi në qytetin e Permit.
“Pothuajse të gjithë ishin të dehur”, ka thënë ai. “Hajdeni në fushëbetejë! Do ta kapim Zelenskyn e do ta ngremë flamurin tonë”, i ka kujtuar ai brohoritjet e tyre. “Po i shihja dhe po mendoja ‘si përfundova këtu?’ Isha shumë i frikësuar”.
Me të arritur në Ukrainë, Ilya ka thënë se shumica e burrave menjëherë ishin dërguar në fushëbetejë. Ai ka thënë se nuk donte të gjuante apo ta vriste askënd, dhe përfundoi në post komandues.
Kushtet ishin brutale. Ai ka thënë se ishte dëshmitar i një rasti kur katër ushtarë ishin qëlluar nga afër prej një komandanti – një në Panteleimonivka dhe tre në Novoazovsk, të dyja vende në Donetskun e okupuar nga Rusia. Të gjithë ishin vrarë sepse kishin ikur nga fushëbeteja dhe refuzonin të ktheheshin.
“Gjëja më e rëndë ishte se i njihja. Më kujtohet njëri teksa bërtiste ‘mos gjuaj, do të bëj gjithçka!’, por ai i bëri ‘zero’”, ka thënë Ilya.
“Zeroja” zakonisht kryhet si masë ndëshkuese për refuzim urdhrash dhe konsiderohet edhe si masë mësimi për të tjerët që mund të mendojnë ta bëjnë të njëjtën, sipas ushtarëve që kanë rrëfyer.
“Fati juaj varet nga komandanti. Komandanti është në radio lidhje: Bëje zero këtë, bëje zero atë”, ka thënë Ilya.
Ekzekutimi i ushtarëve që refuzonin urdhrat nuk u kufizua vetëm në njësitin e Ilyas.
“Sigurisht që i vrasin njerëzit e tyre. Është normale”, ka thënë Dima.
Para luftës, 34-vjeçari jetonte me gruan dhe vajzën dhe punonte në Moskë si rregullues i enëlarëseve.
Në tetor 2022, ai po ecte për të shkuar në një vend tjetër për punë, kur një grup i policëve e ftoi.
“Nëse nuk shkon në luftë, do të shkosh në burg”
“E morën pasaportën time, bënë diçka në laptop dhe më thanë se ‘nëse nuk shkon në luftë, do të shkosh në burg’”, ka kujtuar ai.
Dima ka thënë se ai nuk donte ta vriste askënd, prandaj, edhe pse nuk kishte eksperiencë mjekësore, iu bashkua një njësiti mjekësor. Më vonë, kaloi në një brigadë ku duhej të merrej me evakuimin e ushtarëve të plagosur nga vijat e fronit.
Ishte pikërisht Brigada e 25-të, në të cilën Dima ka thënë se i ka parë bashkëluftëtarët teksa ekzekutoheshin me urdhër të komandantit.
“I pash – vetëm dy-tre metra larg. Vetëm vrasje, thjeshtë klik-klak, bam. Nuk është dramë, s’është as film. Është jetë reale”, ka thënë ai.
Komandanti i Dimas, Alexei Ksenofontov, kishte marrë titullin “Yll i Artë”, medaljen më të lartë shtetërore dhe ishte shpallur “Hero i Rusisë” më 2024.
Por Ksenofontov ishte akuzuar nga shumë familje të ushtarëve të vrarë në njësitin e tij. Në një letër të përbashkët në janar të 2025-s, ata i kërkuan direkt Putinit të ndërhyjë ndaj pretendimeve për brutalitet në njësitin e tij.
“Ata mbrojtën vendlindjen me nder dhe krenari!!! Por në realitet, e gjetën veten në mes të këtyre komandantëve, që marrin dekorata për dhjetëra mijëra vdekje e zhdukje”, thuhej në letër. “Dhe ata vazhdojnë t’i shfarosin burrat tanë.
Dima e quan Ksenofontovin “kasap”.
“Ai ka dhënë shumë urdhra për vrasje ushtarësh, ka shumë gjak në duart e tij, shumë”.
Dima ka rrëfyer se si i kishte parë trupat e 20 burrave, që kishin arritur në bazën e tij një natë më herët, të shtrirë në një zonë pasi që ishin qëlluar.
Ai kishte folur me disa prej tyre, të gjithë ish-të dënuar, para se të ishte dëshmitar i marrjes së tyre në mëngjesin pasues.
Si mjek, vdekjet i raportoheshin vazhdimisht Dimës. Ai ka thënë se ishte informuar se këta burra ishin qëlluar për vdekje nga një komandant dhe se atyre u ishin marrë kartelat e bankës.
“20 burra na erdhën. Ata i morën kartelat e bankës së tyre dhe i vranë. Nuk është problem ta zhdukësh dikë nga lista. Thjesht e bën një raport”, ka kujtuar ai.
Dimas i ishte thënë se kartelat e bankave u morën nga komandantët.
Dokumentari i BBC-së ka marrë edhe rrëfimin e një ushtari tjetër – zyrtar i lartë, që ka thënë se kishte shërbyer në ushtrinë ruse për 17 vjet. Ish-oficeri, që deshi të mbetej anonim, ka treguar se kishte folur me një burrë që kishte ndihmuar në vrasjen e një grupi të zyrtarëve me grada të larta.
Ky burrë ka thënë se ishte pjesë e një “skuadre të likuidimit, që ishte dërguar për të mbaruar punë me të mbijetuarit”, ka kujtuar oficeri rus. “Nuk kam parë kurrë diçka të tillë përgjatë gjithë viteve të shërbimit”.
Të katër burrat kanë dhënë detaje se si i kishin përjetuar “stuhitë e mishit” – pjesë e taktikës ruse të “mullirit të mishit” në terrenin ukrainas.
Këto stuhi ishin aq vdekjeprurëse, sa që konsideroheshin lirisht misione vetëvrasjeje.
“I pash (komandantët) teksa dërgonin valë pas vale, hidhnin njerëz si mish, në duart e ukrainasve, ashtu që ata të shpenzojnë armatimin dhe dronët e më pas hidhnin edhe një valë për t’i arritur caqet e tyre”, ka thënë një tjetër ish-ushtar, i quajtur Denis.
Gati çdo ditë më 2025, rreth 900-1500 ushtarë rusë vriteshin ose plagoseshin në Ukrainë, sipas Ministrisë së Mbrojtjes në Britani të Madhe.
Dima e ka treguar se si funksiononte “stuhia” në praktikë.
“I dërgoni tre burra, më pas tre. Nëse s’kryenin punë, çoni edhe 10. Nëse as kjo me 10 nuk kryente punë, i çoni edhe 50”, ka thënë ai. “Dikur do të depërtoni. Kjo është logjika e ushtrisë”.
“Kishim 200 të vrarë në tre ditë. Në stuhinë e parë të regjimentit tonë, ata na thyen. Regjimenti jonë u shkatërrua në vetëm tri ditë”, ka thënë ai.
Dima më pas ka treguar një video, të publikuar në rrjete sociale në tetor të 2023-s, të nënave dhe grave të burrave të vrarë në njësitin e tij, teksa flisnin për humbjet.
“Burrat tanë po masakrohen”
Njëra grua dëgjohet tek thotë: “Burrat tanë u urdhëruan të ecnin përpara vetëm me armë dore dhe lopata”. Një tjetër thotë: “Këto humbje janë të tmerrshme. Burrat tanë po masakrohen”.
Ata që nuk vriten për shkak të refuzimit të stuhive, shpesh përballen me pasoja të tmerrshme dhe çnjerëzore, ka thënë Ilya.
Ai ka treguar edhe një video të burrave nga njësiti i tij në Panteleimonivka në Donetsk.
“Le t’i ushqejmë kafshët”, ka thënë një burrë, para se të hapte një kapak për t’i shfaqur tre burra të hedhur në një gropë.
“Oh, jeni të uritur? A doni të ushqeheni?”, dëgjohet teksa u thotë burri që po i incizonte, para se njëri prej të groposurve të ngrejë kokën dhe duart. Më pas u hidhen disa kokrra të thata. “Shihni se si po hanë”, thotë më pas burri në video, teksa burrat në gropë nisin të hanë kokrrat e ushqimit.
Disa burra vuanin për ushqim për ditë të tëra dhe përballeshin me dhunë nëpërmjet rrymës, ka thënë Ilya, para se të dërgoheshin të paarmatosur nëpër “stuhitë e mishit”.
Edhe personalisht ai ishte torturuar sepse kishte refuzuar që të merrte pjesë në një mision të tillë.
“Më lidhën në një pemë, më goditën me shkop gome e më vendosën një armë në kokë. Nuk e di si ta them, u shërbeva si tualet. Komandanti u thoshte të gjithëve “Kemi një tualet të ri”. Isha i lidhur për gjysmë dite.
Pasi u zgjodh, Ilya u përpoq t’ia merret jetën vetes.
Denisi, që thotë se njëherë u kishte dërguar ushqim e ujë tinëz ushtarëve në gropë, ka treguar një video të një dezertori të akuzuar mbi të cilin urinonin ushtarët. BBC-ja nuk e ka verifikuar këtë video.
“Është ilegale, por askush nuk dënohet”
“Ka qenë poshtërim i nderit dhe dinjitetit të njeriut. Në ushtrinë ruse, kjo u kthye në normë”, ka thënë ai. “Është ilegale, por askush nuk dënohet. Përkundrazi, madje inkurajohen ta bëjnë”.
27-vjeçari Denis po ashtu tregon një fotografi që thotë se ishte marrë menjëherë pasi dy dhëmbët e tij u thyen nga një prej mbikëqyrësve, sepse u kishte thënë se nuk donte të shkonte për të kërkuar për një dron.
“Ishte e tmerrshme. Thjesht u desh të vazhdoja”.
Dima në një rast ishte graduar, edhe pse kishte thënë se nuk donte të bëhej oficer. Ai ka treguar një fotografi të ceremonisë së emërimit. Pas gradimit, ai kishte vendosur të mos çonte ushtarë në stuhi.
“Kam refuzuar ta bëja këtë. Nuk më duhej të shkoja vetë, por refuzoja ta jepja urdhrin”.
Kjo çoi në arrestimin nga policia ushtarake që e çoi në një burg të improvizuar.
“Aty më torturonin me elektroshok”, ka kujtuar ai. Ishte torturuar për 72 ditë rresht.
“Vetëm torturë, çdo ditë. Pa emocione. Ishte çmenduri”, ka thënë ai.
Të gjithë burrat që kanë folur për BBC-në janë jashtë Rusisë. Megjithatë, tmerret s’u hiqen nga mendja.
“Kam vazhdimisht ëndrra. E shoh një mal plot trupa të vdekur, njerëz të goditur, fytyra të mbushura plot gjak. Ajo erë... nuk është erë, është shije”, ka thënë Dima. “Jam kriminel dhe askujt nuk ia ndien – krimi im është se unë nuk dua të kryej vrasje”.
“Në ushtrinë ruse, ka shumë burra që nuk kanë nevojë për këtë luftë, që i urrejnë komandantët, që e urrejnë Putinin, që e urrejnë sistemin tonë, dhe ata duan të na shkatërrojnë”.
Ilya ka thënë se e do vendin e tij, “por jo atë që Putini e ka bërë me të”.
“Ata mund ta shkatërrojnë këdo atje, dhe nuk ka rëndësi nëse je apo jo i fortë. Ata gati më shkatërruan mua, por jo plotësisht”.