Spanja e mposhti Francën, Argjentina e fitoi Anglinë dhe finalja e Kupës së Botës do t’i ballafaqoj mësuesin me nxënësin.
Spanja e Luis de la Fuentes do të përpiqet të fitojë Kupën e Botës, 16 vjet pasi e fitoi në Afrikën e Jugut 2010, ndërsa Argjentina e Lionel Scalonit po kërkon të bëhet përfaqësuesja e parë që nga Brazili në vitin 1962 që e fiton dy herë radhazi turneun më të madh të futbollit.
Megjithatë, përtej përballjes së kampiones së Evropës dhe Botës, finalja e së dielës ka edhe anën personale.
Pas fitores 2:0 të Spanjës ndaj Francës, De la Fuente tha se do të ishte “i kënaqur” të përballej me Argjentinën.
65-vjeçari De la Fuente kishte krijuar vite më parë një marrëdhënie miqësie me Scalonin.
Edhe
Selektori i Spanjës: Mund ta eliminojmë Francën
Në kursin e trajnerëve të mbajtur nga Federata Spanjolle e Futbollit në Las Rozas, De la Fuente ishte mësues i angazhuar dhe Scaloni një nga nxënësit e tij.
Kjo ndodhi në vitin 2017, dy vjet pasi Scaloni i dha fund karrierës së tij si lojtar. De la Fuente, atëherë në krye të ekipeve të të rinjve të Spanjës, ishte ndër figurat që ndihmuan një lojtar të pensionuar së fundmi të bënte hapat e tij të parë drejt marrjes së licencës si trajner.
Asnjëri prej tyre nuk mund ta kishte imagjinuar se mësimet e “Las Rozas” një ditë do të bënin jehonë deri në finalen e Kupës së Botës.
Scaloni kishte folur me ngrohtësi për atë periudhë dhe lidhjen e tij me De la Fuenten në Kupën e Amerikës 2024.
“Luis ka qenë një ndihmë e madhe për ne që ndoqën kursin e trajnerit në Las Rozas. Kam pasur biseda me të dhe i uroj gjithë të mirat”, kishte thënë Scaloni para fitores së Argjentinës ndaj Ekuadorit në çerekfinalen e Kupës së Amerikës.
Edhe
Anglia – “pasive” dhe e “shkatërruar”
Admirimi nuk ka rrjedhur vetëm në një drejtim. De la Fuente e ka përshkruar Scalonin si një mjeshtër, një titull i papritur për një nxënës, por i përshtatshëm për njeriun që e udhëhoqi Argjentinën drejt suksesit global dhe kontinental.
Të dy trajnerët fituan së fundmi nga një trofe të madh. Njëri fitoi Evropianin e tjetri Botërorin. Të dielën, De la Fuente dhe Scaloni do të takohen përsëri, jo në një klasë, por për trofeun më të madh në futboll.
Lidhja e Scalonit me Spanjën është më e thellë. Gruaja e tij Elisa Montero, të cilën ai e takoi në vitin 2008, është spanjolle, fëmijët kanë lindur në Spanjë dhe jetojnë në Mallorca.
Scaloni, tani 48 vjeç, kaloi gjithashtu disa sezone duke luajtur në Spanjë te Deportivo La Coruna, Racing Santander dhe Mallorca.
Edhe
Rodri: Jam këtu për të fituar Kupën e Botës
“Nëse gjërat nuk shkojnë mirë për ne, do ta telefonoj. Nëse luajmë kundër tij në finale... jo. Shpresojmë të mos ketë telefonatë deri pas finales...”, kishte thënë Scaloni në fillim të javës.
Tani pritet të mos ketë telefonata deri të dielën, sepse mësuesi dhe nxënësi po bëhen gati për finalen e madhe.