Ekonomi

Mbi 100 milionë euro më shumë u shpenzuan në subvencione e transfere këtë vit

Shpenzimet e buxhetit për paga, subvencione dhe transfere sociale janë rritur ndjeshëm këtë vit. Nga janari deri në shtator shteti ka shpenzuar 815 milionë euro apo mbi 100 milionë euro më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Pjesa më e madhe e buxhetit shkon për pensione, shtesa për fëmijë dhe pagesa për veteranët

Shpenzimet për transfere sociale dhe subvencione janë rritur për mbi 100 milionë euro në nëntë muajt e parë të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Për këtë kategori janë shpenzuar 815 milionë euro, prej të cilave 369 milionë për pensione.

Nga buxheti i shtetit, 88 milionë euro janë shpenzuar për shtesa të fëmijëve deri në 16 vjeç, shumë kjo që u rrit për afro 37 milionë euro krahasuar me nëntëmujorin e vitit të kaluar.

Rritje pati edhe te shpenzimet për pagesat e veteranëve. Nga 55.51 milionë euro sa janë shpenzuar vjet deri në shtator, sivjet kjo shifër është rritur për 11 milionë euro.

“Shpenzimet buxhetore gjatë kësaj periudhe raportuese arritën vlerën prej 2 miliardë e 248 milionë euro (duke përfshirë pagesën e interesit), duke shënuar rritje prej 13 për qind, që korrespondon me 261.65 milionë euro më shumë krahasuar me nëntëmujorin paraprak”, thuhet në raportin nëntëmujor financiar 2025.

Një pjesë e madhe e buxhetit është shpenzuar për paga dhe shtesa. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, për këtë kategori janë shpenzuar 673.8 milionë euro apo 5 për qind më shumë sesa vjet.
Shpenzimet janë rritur edhe për mallra e shërbime - për 18 për qind. Për këtë kategori janë shpenzuar 309 milionë euro nga janari deri në shtator të këtij viti, ndërsa vjet në të njëjtën periudhë kohore janë shpenzuar 262 milionë.

Rritje të shpenzimeve pati edhe tek ato komunale. Pas shpenzimeve për vendimet gjyqësore, rryma dhe ngrohja janë dy kategoritë që marrin pjesën më të madhe të buxhetit dhe që sivjet shënuan rritje. Për rrymë janë shpenzuar 13 milionë euro apo 12 për qind më shumë sesa vjet e për ngrohje afro 3 milionë euro.

Viti i zgjedhjeve lokale ka rritur edhe dinamikën e shpenzimeve për investime kapitale në komuna.

“Shpenzimet kapitale arritën vlerën prej 389.21 milionë eurosh, që paraqet një rritje prej 64.55 milionë eurosh, duke arritur kështu normën e ekzekutimit në 41% krahasuar me vlerën totale të buxhetuar për këtë kategori, apo 20% më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024”, thuhet në raport.
Derisa shpenzimet buxhetore janë rritur për 13 për qind, të hyrat kanë shënuar rritje prej vetëm 10 për qind.

Ato kanë arritur në vlerë prej 2 miliardë e 476 milionë eurosh apo 220 milionë euro më shumë, krahasuar me nëntëmujorin e vitit paraprak.

Dy institucionet që mbushin arkën e shtetit kanë shënuar rritje të performancës. Të hyrat e mbledhura nga Dogana kanë arritur vlerën bruto prej 1 miliard e 439 milionë euro, ndërsa ato të ATK-së kanë shkuar në 794 milionë euro.