Në forumin me temën “Largimi i barrierave, ndikimi ekonomik i tarifave zero për qind për mallrat amerikane”, u theksua se vendimi i Qeverisë për eliminimin e tarifave doganore për këto mallra, do ta forcojë partneritetin ekonomik mes Kosovës dhe SHBA-së. Gjithashtu, në këtë takim u tha se ky vendim do të shërbejë edhe për rritjen e investimeve amerikane në Kosovë
Vendimi i Qeverisë për eliminimin e tarifave doganore për produktet me origjinë nga SHBA-ja, u vlerësua si forcim i partneritetit mes dy shteteve, në forumin me temën: “Largimi i barrierave, ndikimi ekonomik i tarifave zero për qind për mallrat amerikane”.
Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, tha se ky vendim ka ndikim të madh në tregti.
“Nga gushti e tutje, të gjitha mallrat me origjinë nga SHBA-ja, të cilat hyjnë në Kosovë, do të jenë të liruara nga detyrimet doganore. Vendimi hap rrugë edhe për shërbim më të madh tregtar ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vendimi realisht do të shërbejë edhe në rritjen e investimeve të huaja, investimeve amerikane në Kosovë”, ka theksuar Zeka.
Edhe e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, tha se ky është një hap i rëndësishëm për marrëdhëniet mes dy shteteve.
“Duke hequr këto tarifa doganore, Kosova ka rritur qasjen e saj në mallra amerikane të cilësisë së lartë dhe i ka bërë ato më të disponueshme për kosovarët dhe Kosovën. Dhe gjithashtu ka rritur mundësitë për bizneset amerikane dhe kosovare. Vendimi është një fitore e dyanshme për të dyja vendet tona dhe do të forcojë marrëdhëniet tona tregtare dypalëshe, si dhe do të krijojë mundësi të reja për rritje ekonomike”, është shprehur Prattipati.
E ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se ky vendim krijon kushte të favorshme për investime të reja.
“Ky vendim, konsideroj, që e forcon edhe më tej partneritetin strategjik që e kemi me SHBA-në, duke hapur rrugën për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe të investimeve nga investitorë, qoftë amerikanë apo edhe të shteteve të tjera, marrë parasysh kur kemi një raport të tillë tregtar me sa më pak kufizime të ndërsjella dhe Kosova mund të shihet si destinacion për investimet e tyre”, ka deklaruar Murati.
Produktet me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë liruar nga tarifat doganore për të hyrë në Kosovë që nga 1 gushti. Vendimi është marrë nga Qeveria në detyrë.
Mallrat e Kosovës të cilat tregtohen në SHBA, me vendim të presidentit amerikan Donald Trump do të paguajnë tarifë prej 10 për qind, deri në një vendim tjetër.