Portieri italian Gianluigi Donnarumma ka paralajmëruar bashkëlojtarët që nesër ndaj Shqipërisë duhet ta japin 100 përqindëshin, pasi i ka konsideruar kuqezinjtë si “cilësorë dhe që luajnë lojë të shpejtë”.
Italia dhe Shqipëria përballen nesër nga ora 21:00 në Dortmund, në ndeshjen e vlefshme për Grupin B. Nga ora 18:00, do të luajë Kroacia kundër Spanjës që janë në të njëjtin grup.
Portieri i Paris Saint-Germainit është i vetëdijshëm që ndeshja e parë e grupit është shumë e rëndësishme për kampanjën në vazhdim.
“Është padyshim sfida jonë më intriguese. Kemi një grup të vështirë dhe do të ketë kufij për gabime në ndeshjen e nesërme. Ata [Shqipëria] janë të shpejtë dhe kanë cilësi, luajnë mirë dhe për këtë arsye ne nuk mund ta përballojmë të luajmë me 70 ose 80 për qind nesër, duhet të jemi 100 për qind. Më pas, do të mendojmë nga ndeshja në ndeshje, por e nesërmja do të jetë shumë e rëndësishme për ne që të bëjmë një hap përpara në grup”, ka thënë ai në konferencë për shtyp të premten.
Donnarumma ka thënë se Shqipëria ka individë shumë të fortë.
“Ne kemi parë disa nga ndeshjet e tyre dhe kanë disa individë shumë të fortë. Duhet të jemi të kujdesshëm që të mos e teprojmë, Shqipëria është e mirë në kundërsulm. Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të jemi shumë kompakt si ekip. Ndeshja mund të fitohet në minutën e parë ose në të fundit. S’bën të dorëzohemi”, ka thënë 25-vjeçari.