(BBC) – Ishte një nga mospërputhjet më të mëdha që mund të keni parë ndonjëherë në futbollin profesionist.
Për ekipin e Zelandës së Re, Auckland City, që përbëhet nga lojtarë që kryesisht futbollin nuk e kanë prioritet, mposhtja e Bayernit, ekipit që ka 34 tituj të Gjermanisë dhe gjashtë tituj evropianë, do të ishte gjithnjë një mision i pamundur.
Kingsley Coman hapi serinë e golave në minutën e pestë në stadiumin TQL në Cincinnati dhe përnjëherë ëndrra për befasinë e madhe u shua.
Nëse llogaritet vetëm koha e rregullt, Bayerni arriti fitore dyshifrore për herë të parë që nga gushti i vitit 2021. Vendosi rekord të ri në Kupën e Botës për Klube.
Rezultati në fund ishte 10:0 për Bayernin, por fitorja mund të ishte edhe më e thellë.
Bayern Muncheni ka fituar me diferencë prej dhjetë golash në Bundesligë më parë. Regjistroi fitore 11:1 ndaj Dortmundit në vitin 1971. Në vitin 2021 fitoi 12:0 ndaj ekipit të ligës regjionale, Bremer, në ndeshje për kupë të Gjermanisë.
Në ndeshjen ndaj Aucklandit, dukej sikur fitorja rekorde e gjigantit gjerman, prej 16:1 ndaj DJK Waldberg për Kupën e Gjermanisë në edicionin 1997/98, mund të rrezikohej.
Në mesin e pjesës së parë rezultati ishte 4:0, ndërsa në fund të pjesës së parë 6:0. Kështu u barazua rekordi për fitoren më të thellë në Kupën e Botës për Klube, që Al Hilali e kishte arritur ndaj Al Jaziras.
Në pjesën e dytë u aktivizua Jamal Musiala dhe ai realizoi “hat-trick”, para se Thomas Muller të shënonte për 10:0 dhe për golin e 250-të personal për Bayernin.
Mospërputhje brenda dhe jashtë fushës
Aucklandi ishte me fat që nuk pësoi me diferencë më të madhe. Bayerni i kishte 31 goditje, prej tyre 17 në kornizë të portës. Bavarezët e kishin topin në 71 për qind të kohës.
Lojtarët e ekipit nga Zelanda e Re e kishin vetëm një gjuajtje drejt portës së Manuel Neuerit, që nuk paraqiti problem për legjendën gjermane.
Hendeku i madh mes dy skuadrave nuk ishte vetëm në fushën e lojës.
Aucklandi në vitin e fundit financiar raportoi të ardhura prej 488 mijë funtesh. Bayerni kishte të ardhura prej 810 milionë funte.
Lojtarët amatorë të Aucklandit kanë një limit pagash prej 66 funte në javë, ndërsa Harry Kane përfiton 400 mijë funte në javë te Bayerni. Lojtarit më të paguar të Aucklandit do t’i duheshin rreth 117 vjet për të fituar pagën javore të sulmuesit anglez.
Skuadra e Aucklandit vlerësohet 4,58 milionë euro nga “Transfermarkt”, ndërsa Bayerni vlerësohet 903 milionë euro.
Aucklandi, që është përfaqësuesi i vetëm i Oqeanisë në Botërorin për Klube, merr 2,6 milionë funte për pjesëmarrje. Klubet evropiane pritet të fitojnë midis 9,9 milionë dhe 29,6 milionë funte.
Në një renditje jozyrtare të ekipeve, Bayerni është i gjashti, ndërsa Aucklandi i 5074-ti. Skuadra tjetër pjesëmarrëse në Kupën e Botës për Klube me renditjen më të ulët është Al Aini i Emirateve të Bashkuara Arabem që mban vendin e 625-të.
Derisa Bayerni krenohet me disa nga emrat më të mëdhenj të futbollit botëror, Aucklandi përfshin një mësues në shkollën fillore, një ndërmjetësues sigurimesh, një berber, një përfaqësues shitjesh në “Coca-Cola”, një shitës veturash dhe disa studentë.
Mbrojtësi i majtë i Aucklandit, Nathan Lobo (22), do t’i nënshtrohet një provimi në universitet nga dhoma e tij e hotelit gjatë Botërorit.
Ëndërr apo turpërim?
Vendimi i FIFA-s për të zgjeruar Kupën e Botës për Klube nga shtatë në 32 ekipe, u shoqërua me ankesa ligjore nga sindikata e lojtarëve, FIFPro, dhe nga Asociacioni i Ligave Botërore.
Hendeku i jashtëzakonshëm mes Bayernit dhe Aucklandit në ndeshjen e së dielës ka gjasa të sjellë pyetje të tjera në lidhje me formatin e ri të garës.
Aucklandi arriti në Botëror si fitues i Ligës së Kampionëve të Oqeanisë. Këtë garë e fitoi në katër vjetët e fundit. Ekipi nga Zelanda e Re po paraqitet në Botëror për herë të 12-të, më shumë se çdo skuadër tjetër.
Por është çështje tjetër nëse ky ekip duhet të garojë në një grup me klube si Bayerni.
Në Kupën Ndërkontinentale të FIFA-s vitin e kaluar, që përbëhej nga gjashtë ekipe dhe zëvendësoi Kupën e Botës për Klube për vitin 2024, Aucklandi u mposht 6:2 nga Al Aini në raundin e parë.
Në Kupën e Botës për Klube në vitin 2023, që ishte garë me shtatë ekipe, Aucklandi humbi 3:0 nga Al-Ittihadi i Arabisë Saudite, në ndeshjen e vetme të ekipit nga Zelanda e Re.
Në përgjithësi, paraqitja e Aucklandit ndaj Bayernit solli simpati për skuadrën amatore nga Zelanda e Re. Por kjo nuk mund të thuhet për Bayernin. I pyetur pas fundit të ndeshjes nëse i është “dhimbsur” Aucklandi, lojtari i Bayernit, Michael Olise, u përgjigj: “jo”.
Si u kualifikua Aucklandi?
Aucklandi u kualifikua për Kupën e Botës për Klube si fituesi më i mirë i Ligës së Kampionëve të Oqeanisë për periudhën 2021 – 2024.
Kjo skuadër ka dominuar në garën kontinentale. E ka fituar Championsin e Oqeanisë 13 herë që nga viti 2006. Fitoi katër ndeshje dhe barazoi në pesë të tjera në edicionin e fundit të Championsit të Oqeanisë. I shënoi 13 gola dhe i pësoi vetëm dy.
“Rezultati është realitet i futbollit kudër një prej ekipeve më të mira në botë. Është një ëndërr për lojtarët që vijnë nga një nivel amator dhe luajnë në këtë ngjarje. E kemi ditur se do të jetë ndeshje shumë e vështirë. Dhe jemi krenarë për përpjekjet e lojtarëve”, ka thënë trajneri i Aucklandit, Ivan Vicelich.
Te Bayerni thanë se ndeshjen e morën seriozisht.
“Duhet të mbetemi modestë, por është e rëndësishme të themi se e morëm ndeshjen seriozisht. Ishte një ndeshje e parë e mirë në turne, por sigurisht që do të bëhet më e vështirë në vazhdim”, ka thënë trajneri i Bayernit, Vincent Kompany.
Kampioni gjerman do të përballet me Boca Juniorsin, ekipin e famshëm argjentinas, në ndeshjen e dytë.
“Një ekip tradicional nga Evropa kundër një ekipi tradicional nga Amerika e Jugut. Edhe sikur të mos isha trajner i Bayernit do ta shikoja këtë ndeshje. Do të jetë e veçantë”, ka shtuar Kompany.
Aucklandi në xhiron e dytë luan me Benfican.