Futboll

Eksperti zviceran thotë se Xhaka mund të bëhet lideri i ri i Milanit

Granit Xhaka

Kalimi i Granit Xhakës nga Bayer Leverkuseni te Milani po bëhet gjithnjë e më i mundshëm. Ka shumë raportime që Xhaka është pajtuar për transferim te gjiganti italian, ndërsa ka nisur të shkruhet edhe për marrëveshje dyvjeçare të arritur tashmë.

Por marrëveshja nuk është konfirmuar ende nga mediat e mëdha në Itali e natyrisht as nga klubi që për drejtor sportiv e ka Igli Taren.

Te Leverkuseni po bëhen ndryshime të shumta dhe Xhaka mund të jetë largimi i radhës i rëndësishëm.

“Nuk mendoj se Xhaka dëshiron të jetë pjesë e fillimit të ri te Leverkuseni”, ka thënë Marcel Rief, ekspert i sportit në mediumin zviceran “Bluewin”.

“Një portier i ri erdhi, Tah u largua, Frimpong u largua, Wirtzi po largohet. Vetëm Xhaka mbetet prej gardës së vjetër”.

Të tjerë lojtarë të rëndësishëm mund të largohen nga nënkampioni gjerman.

“Trajneri po ashtu është ndërruar. Kam përshtypjen që Xhaka është lodhur nga fillimi i ri i serishëm”, ka shtuar Reif.

Kapiteni i Zvicrës ka kontratë me Leverkusenin deri në vitin 2028, por ka lënë të kuptohet se mund të largohet.

Reif thotë se kjo është koha e duhur për largimin e 32-vjeçarit.

“Nëse do të më duhej të vija bast, do të thosha që Xhaka do të shkojë te Milani”.

Në Itali, Xhaka nuk do të konsiderohej lojtar i vjetër.

“Qartë se në Itali mund të luash më gjatë. Stresi në fushë nuk është aq i madh”, thotë eksperti zviceran. “Kjo natyrisht i përshtatet atij”.

Edhe te Milani po bëhen ndryshime të shumta. Pas një edicioni të zbehtë, Tare erdhi në postin e drejtorit sportiv, ndërsa Massimiliano Allegri është trajner i ri. Ai njihet për stilin defanziv të lojës.

Mbetet pyetje nëse Xhaka përshtatet në skemat e Allegrit.

“Allegri duhet të përshtatet. Te Milani nuk mund të luash vetëm futboll defenziv. Milanezët nuk e pranojnë këtë”, thotë Reif.

“Allegri ka pasur kohë të mirë te Juventusi. Nëse ai mund t’i përshtatë idetë, Xhaka është zgjedhje e duhur si lider i ekipit”.

Tare tashmë ka arritur marrëveshje me ikonën kroate, Luka Modriq, që do të bashkohet me skuadrën pas Kupës së Botës për Klube.

Mediumi italian, “sportmediaset”, ka shkruar edhe të martën se te Milani nuk kanë hequr dorë nga ideja e transferimit të Ardon Jasharit. Jashari po ashtu luan në mesfushë, ndërsa ka pasur edicion të shkëlqyer te Club Brugge në Belgjikë. U zgjodh lojtari më i mirë i kampionatit belg, ndërsa interesim për Jasharin shfaqën edhe PSG-ja, Borussia Dortmundi e plot skuadra të tjera të mëdha.

Problem për Milanin mund të jetë shifra e lartë që kërkon Brugge për lirimin e Jasharit.

Te klubi belg nuk shqyrtojnë ofertat që janë më pak se 30 milionë euro.