Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

FIFA kërkon që lojtarët e lënduar të qëndrojnë jashtë fushës për një minutë

Lendime lojtar

Futbollistët që pranojnë tretman për një lëndim mund të detyrohen të qëndrojnë jashtë fushës për një minutë, sipas një propozimi të FIFA-s.

Kjo është një nga masat për të trajtuar ndërprerjen e ritmit dhe kohën e humbur, e të cilat do të miratohen në takimin e parë vjetor të Bordit Ndërkombëtar të Shoqatës së Futbollit (IFAB), të shtunën.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

IFAB është organi që ka të drejtën e ndryshimit të rregullave të futbollit.

Aktualisht nuk ka ndonjë përcaktim se sa kohë lojtarët e lënduar duhet të qëndrojnë jashtë lojës. Ligat kanë të drejtë të vendosin udhëzimet e tyre, me Premier Leaguen që ka miratur një rregull prej 30 sekondash që nga edicioni 2023/2024.

FIFA bëri testime në Kupën Arabe në dhjetor, që kërkonin që një lojtar të qëndronte jashtë fushës për dy minuta.

Shefi i arbitrave të FIFA-s, Pierluigi Collina, thotë se rregulli prej dy minutash ka për qëllim të zvogëlojë humbjen e kohës dhe të përmirësojë rrjedhën e lojës. Ai pasqyron një qasje të ndjekur nga MLS e SHBA-së, që aktivizohet nëse një lojtar qëndron në tokë për më shumë se 15 sekonda dhe fizioterapisti futet në fushë.

Në një takim të IFAB në janar u ra dakord që një periudhë e caktuar duhet të shtohet në rregulla, por pati mosmarrëveshje për kohëzgjatjen dhe kundërshtime të forta për propozimin për dy minuta.
Ka frikë që nëse një lojtar del nga fusha për një minutë, skuadra rrezikon dukshëm më tepër të pranojë gol kur i ka vetëm dhjetë lojtarë në fushë.

Të gjithë pajtohen që lojtarët përdorin lëndimet e supozuara si një mënyrë për të ndërprerë lojën. Por zgjatja e afatit kohor mund të penalizojë padrejtësisht lojtarët e lënduar vërtetë.

Ka disa përjashtime. Nëse kundërshtarit i tregohet karton i verdhë apo i kuq, lojtari i lënduar nuk ka nevojë të qëndrojë jashtë. Portierët janë gjithashtu të përjashtuar, ndërsa lojtari që gjuan penalltinë duhet të jetë në gjendje të qëndrojë në fushë.

Pas suksesit të rregullit prej tetë sekondave për portierët që mbajnë topin, masa të reja të numërimit mbrapsht do të miratohen nga IFAB. Ngjashëm do të veprohet për goditjet nga porta dhe rivëniet anësore. Nëse vonesat janë të mëdha, topi do t’i kalojë kundërshtarit.

Një limit prej 10 sekondave do të zbatohet edhe për lojtarët e zëvendësuar. Nëse ata nuk dalin nga fusha gjatë kësaj kohe, zëvendësuesi nuk do të lejohet të hyjë në fushë. Dhe ekipi do të duhet të luajë me dhjetë futbollistë deri në ndërprerjen tjetër. Lojtari mund të futet vetëm pasi të kenë kaluar së paku 60 sekonda.

IFAB-i pritet të miratojë rishikimet e VAR-it për kartonët e dytë të verdhë të dhënë gabimisht dhe për goditjet nga këndi.