Futboll

Gjimshiti – Ajeti, partneriteti që nisi te Zvicra U19 e që po sjell stabilitet te Shqipëria

Berat Gjimshiti e Arlind Ajeti

Në nivel klubesh rrugëtimin e kishin goxha të ndryshëm. Por jo edhe në nivel të përfaqësueseve. 
Berat Gjimshiti e Arlind Ajeti nisën të luajnë së bashku me fanellën e Zvicrës. Tani janë te Shqipëria dhe formojnë “murin”, shpesh të pakalueshëm, në qendër të mbrojtjes. Ky mur nuk u kalua atëherë kur vlejti ndoshta më së shumti – në ndeshjen me Serbinë në Leskovc. Dhe Gjimshiti e Ajeti morën lëvdata të shumta për këtë.

Gjimshiti e Ajeti janë 32-vjeçarë. Kapiteni Gjimshiti është i lindur në Zurich të Zvicrës dhe është rritur te skuadra e Zurichut. Prej vitit 2016 është tek Atalanta në Serie A, ndërsa kishte periudha huazimi tek Avellino dhe Benevento. Për shumë vjet, Gjimshiti vlerësohet prej mbrojtësve më stabilë të Serie A. Në elitën italiane tani i ka plot 258 ndeshje. Në Superligën e Zvicrës i kishte 110 ndeshje, ndërsa në Ligën e Kampionëve ka arritur shifrën e 31 paraqitjeve.

Me Atalantan e fitoi Ligën e Evropës vitin e kaluar, madje ngriti trofeun si kapiten.

Ajeti ka lëvizur shumë më tepër në karrierë. Aktualisht është te Bodrumi, vetëm në kategorinë e dytë turke. Ai është i lindur në Basel të Zvicrës dhe është zhvilluar në klubin me emrin e njëjtë. Pas Baselit luajti në Itali për skuadra si Frosinone, Torino e Crotone. U kthye në Zvicër te Grasshopperi, vazhdoi te Vejle në Danimarkë, sërish në Itali te skuadra si Reggiana, Padova e Pordenone. Luajti më pas te Cluji në Rumani, ku në një mënyrë ngjalli karrierën dhe prej vitit të kaluar paraqitet për Bodrumin.

Ajeti më së shumti paraqitje ka në Serie C, që është niveli i tretë i futbollit italian. Në këtë ligë i ka luajtur 49 ndeshje për skuadra si Padova e Pordenone. Në Superligën e Zvicrës i ka 43 paraqitje, në Serie A ka luajtur 41 herë, por ka paraqitje edhe në plot liga e gara të tjera.

Ndonëse jo në nivel të lartë aktualisht, Ajeti është shumë i rëndësishëm te Shqipëria. Sidomos kur luan në partneritet me Gjimshitin.

Por ku nisi rrugëtimi i tyre i përbashkët?

Te Zvicra. 

Të rritur në dy prej klubeve kryesore të Zvicrës, Zurichu e Baseli, Gjimshiti e Ajeti luajtën krah njëri-tjetrit së pari më 5 qershor 2011. Ishte ndeshje e Zvicrës U19 ndaj Malit të Zi U19 dhe i takonte kualifikimeve për Evropian. Zvicra fitoi 3:2.

Me Zvicrën U19, dy shtyllat aktuale të mbrojtjes së Shqipërisë i kishin pesë paraqitje të përbashkëta. Më pas i luajtën bashkë gjashtë ndeshje me Zvicrën U21. Së fundi fushën si lojtarë të Zvicrës e ndanë më 4 shtator të vitit 2014. 

Asnjëri nuk arriti te Zvicra A dhe të dy iu bashkuan Shqipërisë. Gjimshiti, që luajti për Zvicrën U18, U19 e U21, te Shqipëria debutoi në vitin 2015. Ajeti luajti për Zvicrën U17, U18, U19, U20 dhe U21. Debutoi te Shqipëria që në vitin 2014, dy muaj pasi luajti së fundi me Zvicrën U21. 

Ajeti në fakt ka debutuar para Gjimshitit si te Zvicra ashtu edhe te Shqipëria. Por Gjimshiti tashmë është kapiten i kuqezinjve, ndërsa i ka 66 paraqitje e një gol. Ajeti ka 36 paraqitje e po ashtu një gol.

Në Kombëtaren e Shqipërisë për herë të parë në fushë ishin së bashku më 4 shtator 2015. Bëhet fjalë për barazim pa gola me Danimarkën. Lorik Cana ende ishte lider i mbrojtjes dhe kapiten. Përkrah tij u paraqit Ajeti, Gjimshiti e mbuloi krahun e djathtë, ndërsa Ansi Agolli të majtin.

Tashmë i kanë 16 ndeshje së bashku te Shqipëria. Numri i ndeshjeve të përbashkëta nuk është më i madh për shkak se Ajeti, sidomos sa ishte në Serie C, nuk ftohej shumë. Por në dy vjetët e fundit është bërë shumë i rëndësishëm.

Gjimshiti – Ajeti ishte partneriteti i qendrës së mbrojtjes në Euro 2024, i zgjedhur nga Sylvinho. I kompletoi ndeshjet me Italinë, Kroacinë e Spanjën. 

Dhe në këtë dyshe braziliani Sylvinho po bazohet edhe në kualifikimet për Botërorin 2026. Në pesë prej gjashtë ndeshjeve të deritashme në këto kualifikime, duke përfshirë dy me Serbinë, qendra e mbrojtjes së kuqezinjve është përbërë nga Ajeti e Gjimshiti. Ndaj Letonisë, më 10 qershor në Riga, munduan të dy. Në qendër luajtën Ardian Ismajli e Marash Kumbulla.

“E njoh Ajetin që kur ishim 15-vjeçarë. Kemi luajtur bashkë që në grupmoshat e reja të Zvicrës. Më pas vendosëm të luajmë bashkë për Shqipërinë dhe prej asaj kohe kanë kaluar më shumë se dhjetë vjet. Kuptohemi dhe e njohim njëri-tjetrin”, ka thënë Gjimshiti pas fitores së madhe ndaj Serbisë në Leskovc, më 11 tetor.

Është thuajse e sigurt se mbrojtja e Shqipërisë do t’i besohet Gjimshitit e Ajetit edhe në ndeshjen e 13 nëntorit me Andorrën dhe atë të 16 nëntorit me Anglinë. Stabiliteti i tyre mund ta ndihmojë Shqipërinë të arrijë në plejofin për kualifikim në Botëror, që do të ishte një tjetër hap gjigant në ngritjen e vazhdueshme.