Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Gjysmëfinalja rekorde ofroi futbollin që e duan të gjithë

pass

(BBC) – Herë pas herë vjen një ndeshje që na kujton të gjithëve pse futbolli quhet loja e bukur. Fitorja 5:4 e PSG-së ndaj Bayernit, të martën mbrëma, ishte e tillë. Ishte gjysmëfinalja me më së shumti gola, që kur Eintracht Frankfurti mposhti Rangersin 6:3 në edicionin 1959/1960 të Kupës Evropiane dhe ndeshje që do të mbetet gjatë në kujtesë.

Jo për gjenialitetin taktik apo planet e llogaritura të lojës, por për dy skuadra me cilësi të jashtëzakonshme sulmuese që bëjnë çdo gjë për të siguruar një vend në finalen e Budapestit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në një edicion ku goditjet standarde janë në qendër të vëmendjes, ku ndërhyrjet në mbrojtje festohen si gola dhe rivëniet e gjata anësore janë kthyer, kjo ndeshje ishte kujtesë se thjeshtë shënimi i më shumë golave se kundërshtari juaj mund të jetë çelësi i suksesit.

Bayerni kaloi dy herë në epërsi në pjesën e parë mahnitëse, por PSG-ja u kthye me stil për epërsinë 5:2. Spektakli vazhdoi me dy gola të tjerë të Bayernit, për rezultatin 5:4 në të mirë të fituesit në fuqi të Championsit në fund.

Tifozët e shijuan këtë ndeshje futbolli, njëjtë si trajneri i PSG-së, Luis Enrique.

“Ishte e mrekullueshme. Mendoj se ishte ndeshja më e mirë që kam drejtuar ndonjëherë si trajner”, tha Enrique.

“Kishte ritëm të mahnitshëm të futbollit sulmues. Lojtarët kanë treguar kualitetin e tyre. Mendoj se të gjithë janë kënaqur duke e parë këtë ndeshje. Jam i lumtur që fituam”, ka shtuar Enrique.

Spektakli nisi kur tifozët e të dy skuadrave shpalosën banerët gjigantë para ndeshjes. Porosia e tifozëve të PSG-së kishte të bënte me “pushtimin e Evropës”, ndërsa e mysafirëve me thirrjen ndaj skuadrës për të dhënë gjithçka.

Në pjesën e parë të dy skuadrat e bënë pikërisht këtë. Skuadrat me sulmuesit më të mirë të Championsit dëshmuan pse i takojnë nivelit më të lartë.

“Nuk mund të ndalem së qeshuri për atë se sa e hapur dhe e çmendur ishte kjo ndeshje”, tha ikona angleze, Alan Shearer. “Është një nga ndeshjet më të mëdha që kam parë ndonjëherë. Dy ekipe që besojnë në aftësitë e tyre për të shënuar më shumë se kundërshtari”.

Përgjigja e Bayernit me dy gola pas rezultatit 5:2, ishte e frikshme. Ishte dëshmi që te skuadra gjermane janë të vendosur për titullin e parë evropian që nga viti 2020. Por çdo gjë mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit në Mynih.

“Jam trajner për më shumë se 15 vjet dhe ishte ndeshja më emocionuese”, ka thënë Enrique.

“Është e rëndësishme të tregohet se kjo është mënyra për të provuar të luash futboll. Në rregull, si trajner nuk je i kënaqur kur pëson katër gola, por jam i lumtur pasi fituam”.

Qartë se ndeshja ishte betejë e dy formacioneve më të fuqishme sulmuese të Evropës.

Te PSG-ja ishte qetësia dhe shpejtësia e Vitinhas, pasimet e mprehta dhe përfundimet e Ousmane Dembeles dhe momentet magjike të Khvicha Kvaratskhelias. Bayerni e kishte aftësinë elektrizuese të Michael Olises, energjinë shpërthyese të Luis Diazit dhe pamëshirshmërinë e Harry Kane. Kjo treshe i ka mbi 100 gola këtë edicion.

Por ka pyetje për lojën në mbrojtje.

Qasja e Bayernit në pjesën e dytë e la këtë skuadër të ekspozuar në mbrojtje dhe PSG-ja e ndëshkoi. Parisienët mund të jenë tronditur ndërsa mysafirët u kthyen me dy gola, duke dëshmuar që ndeshja nuk ishte mbyllur as pas rezultatit 5:2.

“Ne vuajtëm por ishim të rrezikshëm. Të pësosh pesë gola në udhëtim, zakonisht nënkupton se je i eliminuar. Por shanset që kishim na bëjnë të besojmë. Kam parë shumë mbrojtje të mirë sot, por loja është aq e mirë sa që ose futesh plotësisht në beteja, ose tërhiqesh plotësisht. Diçka e mesme nuk funksionon kundër atij niveli lojtarësh”, ka thënë trajneri i Bayernit, Vincent Kompany.

Kane po ashtu vlerësoi mbrojtjen, ndonëse Bayerni pësoi pesë gola në Champions që nga edicioni 1994/1995.

Ndeshja ishte e kundërt e stilit me të cilin shumë tifozë janë lodhur këtë edicion – me vendosje defenzive dhe mbështetje të tepruar në goditjet standarde.