Futboll

“Guleri i ri”, transformim i jashtëzakonshëm i turkut të Real Madridit

Arda Guler

Fillimi i sezonit të ri po afron në ligat më të forta evropiane, dhe pak para fillimit të La Ligës, të gjithë u befasuan pozitivisht nga transformimi i yllit të ri të Real Madridit, Arda Guler.

20-vjeçari turk është dikush nga i cili pritet shumë në Madrid, veçanërisht tani pas largimit të Luka Modriqit. Dhe ai bëri shumë përpjekje këtë verë për të përmirësuar forcën e tij.

Pas një pune të palodhur fizike, Guleri duket vërtet fenomenal. Të enjten gazeta madrilene “AS” shkruan se turku shtoi tetë kilogramë masë muskulore gjatë pushimeve të verës.

Guleri përjetoi dy sezone në hije, pasi pati probleme me lëndimet e shpeshta. Në sezonin e parë, ai luajti vetëm 440 minuta në fushë, por arriti të shënonte gjashtë gola, dhe në sezonin e kaluar luajti më shumë se 2,200 minuta, gjatë së cilës kohë shënoi gjashtë gola dhe 11 asiste.

Turku është i vetëdijshëm se sezoni i ardhshëm është më i rëndësishmi në karrierën e tij deri më tani dhe se duhet t'i imponohet trajnerit Xabi Alonso.

Guler ishte i padiskutueshëm në formacion në Kampionatin Botëror të Klubeve të mbajtur në qershor, ku Reali u eliminua në gjysmëfinale, dhe ishte titullar në pesë ndeshje.

Reali e nis sezonin e La Ligës më 19 gusht me një duel me Osasuna në “Bernabeu”.