Ballkani ka bërë hap të gabuar në ndeshjen e xhiros së 12-të të elitës së futbollit kosovar.
Tri herë kampioni i Kosovës të shtunën në stadiumin e qytetit në Suharekë, barazoi 1:1 me Ferizajn, ndonëse ishte në epërsi prej një goli.
Ëalid Hamidi shënoi për 1:0 në minutën e 16-të. Për sulmuesin algjerian ishte goli i dytë i edicionit. Ai harkoi në zonë, ndërsa topin nuk e preku askush nga bashkëlojtarët e tij dhe përfundoi në rrjetë.
Ferizaj reagoi në fillim të pjesës së dytë.
Zëvendësuesi Betim Haxhimusa i barazoi shifrat në 1:1 me gjuajtje të fuqishme nga afërsia.
Kapiteni i Ferizajt shënoi për rezultatin përfundimtar në minutën e 48-të.
Për Ballkanin ishte barazimi i dytë në katër ndeshjet e fundit, ku i ka edhe dy fitore.
Dy barazime në katër ndeshjet e fundit i ka edhe Ferizaj. E ka edhe një fitore e një disfatë.
Ballkani me barazim mbetet në vendin e dytë me 23 pikë. Ka dy pikë më pak se Prishtina që nga ora 18:30 në “Fadil Vokrri” luan ndaj Gjilanit.
Ferizaj ndërkohë ngjitet në vendin e shtatë me 14 pikë, aq sa ka edhe Drenica. Drenica e ka një ndeshje më pak të luajtur.
Me 13 pikë në vendin e tetë është Malisheva, por me një ndeshje më pak të zhvilluar.
Ferizaj barazon rezultatin
Betim Haxhimusa hyri në lojë në pjesën e dytë te Ferizaj dhe i ka barazuar shifrat ndaj Ballkanit.
Golin për 1:1, kapiteni Haxhimusa e realizoi në minutën e 48-të.
Hamidi kalon në epërsi Ballkanin
Walid Hamidi e ka kaluar në epërsi Ballkanin në duelin e xhiros së 12-të të Superligës ndaj Ferizajt. Ndeshja po luhet në stadiumin e qytetit në Suharekë.
Hamidi realizoi golin e dytë të edicionit në minutën e 16-të. Ai harkoi në zonë fillimisht, ndërsa topi nuk u prek nga asnjë futbollist në zonë dhe përfundoi në rrjetë.