Skuadra tiranase, Dinamo City, arriti sukses të madh duke e eliminuar Hajdukun e Splitit në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. Por në plejofin e Ligës së Konferencës e humbi thellë ndeshjen e parë. Skuadra e Ilir Dajës u mposht 3:0 nga Jagiellonia në Bialystok të Polonisë. Ndeshja u zhvillua të enjten e kaluar para 17 mijë e 450 shikuesve.
Ndeshja e kthimit është të enjten mbrëma në “Arenën Kombëtare” në Tiranë. Dhe pjesëmarrjen në ndeshje e kanë paralajmëruar edhe huliganët polakë, përkrahës të Jagiellonias. Tifozët e organizuar të këtij klubi janë të njohur edhe për qëndrimin anti-Kosovë.
Këtë e kanë bërë të qartë edhe në ndeshjet e këtij edicioni ndaj Novi Pazarit. Në Novi Pazar, huliganët polakë kanë bërë thirrje “Kosova është Serbi”.
Udhëtimin në Novi Pazar e kishin paralajmëruar po ashtu duke fyer shqiptarët.
“Do të shkojmë në një nga pikat më të paqëndrueshme në Ballkan – në një vend për të cilin vetë serbët turpërohen. Novi Pazari është një qytet mysliman, që me 82 për qind është enklava e tyre më e madhe në të gjithë vendin. I vendosur pranë Kosovës së vjedhur, është i banuar nga njerëz që simpatizojnë Bosnjën, Turqinë dhe Shqipërinë”, shkruante në postimin e tifozëve të Jagiellonias.
Fyerjet ndaj Kosovës nga huliganët polakë ishin bërë edhe rrugës për në Novi Pazar, në qytete tjera të Serbisë.
Ndërkohë banerë fyes e tallës ndaj Kosovës ishin shpalosur edhe në ndeshjen e kthimit me Novi Pazarin, në Poloni.
Kur u hodh shorti për raundin e plejofit dhe u caktua që Jagiellonia të luajë me Dinamo Cityn, huliganët polakë shkruan se “do të jenë sërish në territor armik”.
Dhe tani kanë bërë provokim tjetër duke përmendur edhe arkivolin.
“I shkatërruam 3:0 në tokën tonë, pa mëshirë. Por ende nuk ka mbaruar. Do të shkojmë në Tiranë për të ngulur gozhdën e fundit në arkivol dhe të mbyllim dy ndeshjet siç i ka hije Jagas”, shkruan në postimin e huliganëve polakë.
Në Poloni, Rumani dhe disa vende të tjera ka grupe huliganësh me qëndrim të qartë anti-Kosovë.
Madje huliganë rumunë kishin thirrur “Kosova është Serbi” edhe në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.