Futboll

Hungaria prish në fund festën e Ronaldos dhe Portugalisë

Cristiano Ronaldo

Superylli i futbollit, Cristiano Ronaldo, shënoi dy gola për Portugalinë të martën mbrëma. Por festën e tij dhe Portugalisë e prishi Dominik Szoboszlai në minutën e 91-të të ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Szoboszlai shënoi golin e barazimit në minutën e 91-të për Hungarinë.

Ndeshja Portugali – Hungari përfundoi baras, 2:2, ndërsa i takoi Grupit F kualifikues për Botërorin e vitit të ardhshëm.

Hungaria shënoi e para nëpërmjet Atilla Szalait në minutën e tetë. Më pas Ronaldo shënoi dy gola për epërsinë 2:1 në pjesën e parë. Golin e parë Ronaldo e shënoi në minutën e 22-të, kurse të epërsisë 2:1 e realizoi në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë.

Ronaldo 40-vjeçar ka 948 gola në karrierë. Është bërë lojtari me më së shumti gola në kualifikimet për Botëror. Ka shënuar 41 gola.

Portugalia mbetet në vendin e parë me dhjetë pikë, kurse Hungaria në pozitën e dytë me pesë pikë. Irlanda ka katër pikë në vendin e tretë, derisa Armenia e fundit me tri pikë.