Sulmuesi kosovar Mirlind Daku nuk do të transferohet te skuadra e madhe ruse, Zenit St Petersburg.
Zeniti shprehu interesim për Dakun, arriti marrëveshje me Rubin Kazanin, por jo edhe me futbollistin.
Mediat ruse e bëjnë punë të kryer dështimin e transferimit. Daku ishte në St. Petersburg, por do të kthehet në Kazan dhe pritet të fillojë përgatitjet me Rubinin. Te Rubin Kazani kanë konfirmuar se Zeniti nuk ka arritur marrëveshje me Dakun dhe se lojtari do t’i bashkohet skuadrës për kampin veror.
Një drejtues i lartë i Zenit St Petersburgut ka thënë se nuk ishte në pyetje vetëm ana financiare që pamundësoi transferimin.
Më herët në mediat ruse ka pasur raportime se te Zeniti po hezitojnë ta angazhojnë Dakun edhe për shkak të veprimit të tij gjatë Euro 2024. Pas një ndeshje me Shqipërinë ai mori megafonin dhe nisi një sharje ndaj serbëve e maqedonasve. Për këtë ishte dënuar nga UEFA më pas.
Për atë rast mediat ruse kishin shkruar shumë. Kishte pasur edhe komente se Daku duhej të largohej nga Rusia. Por ai vazhdoi me paraqitje te Rubin Kazani dhe po ashtu me gola. Por rusët, që janë të afërt me serbët, mund të mos e kenë harruar veprimin e Dakut.
Udhëheqësi i bordit të drejtorëve të Zenitit, Alexander Medvedev ka folur për dështimin e transferimit të Dakut.
“Në përgjithësi negociatat nuk janë çështje e lehtë. Negociatat mes klubeve janë një gjë, ndërsa me lojtarin dhe përfaqësuesit e tij janë çështje tjetër. Në këtë rast, nuk ishte e mundur të arrijmë marrëveshje për kushtet personale. Dhe ato përfshijnë jo vetëm aspekte financiare”, ka thënë Medvedev për Sport-Express.
Është raportuar që Zeniti ishte i gatshëm të paguajë 8,5 milionë euro për Dakun. Tani reprezentuesi i Shqipërisë do të fillojë përgatitjet me Rubin Kazanin, të premten.
Rubini pritet të fillojë bisedimet për kontratë të re të sulmuesit të fuqishëm. Kontrata aktuale është e vlefshme deri në verën e vitit të ardhshëm.
27-vjeçari Daku është prej sulmuesve më të mirë në futbollin rus.
Te Rubin Kazani janë të lumtur që Daku pritet të mbetet në skuadër.
“Është plus i madh për Rubinin nëse Daku qëndron. Do të jetë absolutisht fantastike. Të gjithë kemi përcjellë lajmet dhe kemi reaguar shumë pozitivisht pasi Daku është lider. Ne duam të mbajmë një lojtar si ai dhe të luftojmë për pozita më të mira”, ka thënë mesfushori Ruslan Berzukov.
“Do të jemi të lumtur për Dakun në secilin skenar. Ai ka synimet personale. Por do të jemi më të lumtur nëse ai qëndron me ne”, ka thënë mbrojtësi Alexey Gritsenko.
Mediumi “bussiness-gazeta.ru”, ka bërë një analizë të dështimit të transferimit të Dakut. E ka përfshirë edhe kompaninë e njohur “Gazprom”.
“Siç ishte raportuar më herët nga Ivan Karpov, për shkak të asaj thirrjeje shefi ekzekutiv i ‘Gazpromit’, Alexey Miller, kishte bllokuar transferimin e Dakut një vit më parë. Kur shpenzon miliona euro, merr për bazë edhe çështjet e reputacionit. Zeniti ka marrëveshje të bashkëpunimit me Cërvena Zvezdën e Beogradit, me të cilin klub luan shpesh ndeshje miqësore. ‘Gazpromi’ është sponsor në klubin serb. Zeniti ka edhe futbollistë serbë si Strahinja Erakoviq dhe Sasha Zdelar. Por ka serbë edhe në Kazan dhe kur nisën ndeshjet askush nuk e ka kujtuar miniskandalin”, ka shkruar mediumi rus.
Kompania e fuqishme e gazit “Gazprom” financon Zenitin dhe shumë klube të tjera ruse.