Arsenali është finalisti i parë i Ligës së Kampionëve.
Skuadra londineze fitoi 1:0 ndaj Atletico Madridit të martën mbrëma në “Emirates”, për vend në finalen që luhet më 30 maj në “Pushkash Arena” në Budapest.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSkuadra e Mikel Artetas kaloi në finale me rezultatin e përgjithshëm 2:1. Ndeshja në “Metropolitano” të Madridit kishte përfunduar 1:1, ndërsa të martën mbrëma dallimin e bëri goli i Bukayo Sakas në minutën e fundit të pjesës së parë.
Pjesa e parë ishte goxha e zbehtë, por skuadra londineze shënoi në moment shumë të mirë për të hapur rrugën drejt finales së madhe.
Pjesa e dytë ishte më e zjarrtë. Që në nismë rrezikoi Giuliano Simeone i Atleticos, ndërsa më pas rast të mirë lëshoi edhe Viktor Gyokeres i Arsenalit. U krijuan edhe raste të tjera, në të dy anët e fushës, por që mbetën pa konkretizim.
Dhe Arsenali kthehet pas plot 20 vjetësh në finalen e Ligës së Kampionëve. Finalen e vitit 2006 e kishte humbur 2:1 nga Barcelona. Arsenali vetëm për herë të dytë ka arritur në finalen evropiane.
Skuadra e Mikel Artetas është në moment shumë të mirë, ndërsa mund ta përfundoi edicionin me dy trofe të mëdhenj. Të hënë Manchester City luajti 3:3 me Evertonin dhe kjo bën që Arsenali të jetë në pozitë shumë të mirë edhe në garën për titull të kampionit të Anglisë. Dhe, ndoshta si kampion i Anglisë do ta kërkojë titullin e Evropës në fund të muajit.
Në finale, Arsenali takohet me PSG-në apo Bayernin. Ndeshjen e parë e fitoi PSG-ja me rezultatin 5:4, kurse ndeshja e kthimit e kësaj gjysmëfinaleje është të mërkurën mbrëma në Mynih.
Shpallet më i miri i ndeshjes, nuk është Saka
Ndonëse Bukayo Saka e shënoi golin e vetëm në fitoren e Arsenalit ndaj Atletico Madridit, ai nuk është shpallur më i miri i ndeshjes.
Ekspertët e UEFA-s e kanë shpallur Declan Ricen e Arsenalit si më të mirin.
Ai vrapoi 9.9 kilometra, kurse kishte shpejtësi maksimale prej 32.4 kilometra në orë. Rice kishte saktësi të pasimeve prej 91 për qind.
Raste në të dy anët, rezultati mbetet 1:0
Pjesa e dytë e ndeshjes Arsenal – Atletico Madrid është dukshëm më e zjarrtë se e para.
Raste të rrezikshme kishin të dy skuadrat, fillimisht Atletico e më pas edhe Arsenali.
Por shifrat nuk kanë ndryshuar – 1:0 në të mirë të londinezëve.
Janë luajtur tashmë 70 minuta.
Arsenali me epërsi pas pjesës së parë
Me golin e Bukayo Saka në minutën e fundit të pjesës së parë, Arsenali, ka shkuar në pushim me epërsi 1:0 ndaj Atletico Madridit.
Ndeshja kthyese gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve ndërmjet Arsenalit dhe Atleticos po luhet në Londër.
Ndeshja e parë në Madrid javën e kaluar kishte përfunduar baras, 1:1.
Arsenali dominoi gjatë pjesës së parë, ndërsa kishte edhe posedimin e topit më shumë.
Edhe pjesa e dytë pritet të jetë interesante.
Arsenali shfaqet i rrezikshëm ndaj Atleticos
Arsenali ka krijuar më shumë raste shënimi në ndeshjen ndaj Atletico Madridit, në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Arsenali u shfaq i rrezikshëm në disa momente gjatë 20 minutave lojë. Por pa konkretizuar rastet e krijuara.
Aktualisht rezultati është i barabartë, 0:0.
Ndeshja e parë në Madrid javën e kaluar përfundoi 1:1.
Publikohen formacionet e ndeshjes Arsenal – Atletico Madrid
Arsenali do të paraqitet me një sulmues, ndërsa Atletico Madridi me dy sulmues në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Ligës së kampionëve.
Trajneri Mikel Arteta në krye të sulmit e ka vendosur Viktor Gyokeresin, ndërsa Diego Simeone i Atletico Madridit, ka vendosur dy sulmues, Antoine Griezmann dhe Julian Alvares.
Arsenali luan me formacion 4-2-3-1, derisa Atletico 4-4-2.
Gjysmëfinalja e dytë ndërmjet Arsenalit dhe Atleticos luhet sonte nga ora 21:00 në Londër.
Ndeshja e parë në Madrid kishte përfunduar baras, 1:1.
