Kosova e nisi ciklin kualifikues për Botërorin 2026 me formacion sulmues, 4-3-3. Por, pësoi keq nga Zvicra më 5 shtator në Basel, duke pranuar katër gola që në pjesën e parë. Me rezultatin 4:0 edhe përfundoi ndeshja.
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, përveç ndeshjes, e humbi edhe kapitenin Amir Rrahmani. Qendërmbrojtësi u lëndua dhe u zëvendësua nga Ilir Krasniqi.
Tre ditë më pas, Foda reagoi duke bërë ndryshime të mëdha në formacion për duelin ndaj Suedisë në Prishtinë. Vendosi për formacion më defanziv. Inkuadroi pesë mbrojtës. Lumbardh Dellova, Fidan Aliti e Ilir Krasniqi luajtën në vijën e fundit, kurse Mërvim Vojvoda e Dion Gallapeni ndihmuan në krahë. Formacioni kryesisht ishte 5-3-2.
Dhe ndryshimet dolën të suksesshme. Kosova fitoi 2:0 ndaj Suedisë, që në formacion kishte top-sulmues. Golat e Kosovës u shënuan nga kundërsulmet. Elvis Rexhbeçaj dhe Vedat Muriqi shënuan për fitoren e madhe.
Pesë mbrojtës Kosova i pati edhe për duelin ndaj Sllovenisë së Benjamin Sheshkos e Jan Oblakut, të premten. Kosova barazoi pa gola me Slloveninë në “Fadil Vokrri”. Albian Hajdari, që debutoi, ishte i vetmi ndryshim. Hajdari luajti në vend të Dellovës së lënduar.
Ndonëse sllovenët dominuan sa u takon rasteve, Kosova nuk u mposht. Dhe pika u vlerësua e madhe.
Katër pikë nga dy ndeshjet e fundit vlerësohen bilanc goxha i mirë për “Dardanët”. Kosova në tabelë është para Sllovenisë dhe Suedisë.
Pikërisht ndaj Suedisë do të jetë ndeshja e ardhshme e Kosovës, të hënën në Goteborg nga ora 20:45. Dhe me gjasë Foda sërish do të vendosë për formacion me pesë mbrojtës.
Ish-qendërmbrojtësi i Shqipërisë, Armend Dallku, ka vërejtur ndryshim në lojën dhe vendosjen e Kosovës. Dallku ka thënë se golat ndaj suedezëve nuk ishin të rastësishëm. Ai tani është trajner i Vushtrrisë.
“Nuk diskutohet që zgjedhja e modulit të lojës në këto dy ndeshjet e fundit e ka bërë ekipin tonë përfaqësues që të jetë më i vëmendshëm, më i kujdesshëm dhe ta godas kundërshtarin në ato mundësi që i paraqiten. Nuk janë të rastësishëm golat e shënuar kundër Suedisë, por edhe ato pak raste që u krijuan kundër Sllovenisë”, ka thënë Dallku të dielën për KOHËN.
Ai e di se ndeshja e radhës për Kosovën do të jetë e vështirë, pasi Suedia nuk ka alternativë tjetër pos fitores. Por beson se paraqitja si në dy ndeshjet e fundit, mund të sjellë tjetër rezultat të pranueshëm.
“Moduli më bën të besoj që përzgjedhja e lojtarëve do ta përballojë kundërshtarin dhe pse jo ta godas në kundërsulme. Do të jetë një mundësi e mirë që kundërsulmi jonë të funksionojë në ato pak mundësi që paraqiten. Pse jo, të marrim edhe pikët maksimale në ndeshje. Por edhe rezultati baras për mendimin tim nuk do të ishte i keq, sepse automatikisht e nxjerrim një kundërshtar si Suedia jashtë loje”, është shprehur Dallku, që ka 64 paraqitje me Shqipërinë.
Kosova me ndeshje kualifikuese nisi më 5 shtator të vitit 2016. Në barazimin 1:1 me Finlandën në udhëtim, pjesë e ekipit ishte edhe Alban Pnishi. Pnishi në qendër të mbrojtjes e kishte kompletuar ndeshjen.
34-vjeçari ka thënë për KOHËN se fitorja ndaj Suedisë ishte e merituar, me organizim shumë të mirë në fazën defensive. Ai ka shtuar se ndaj Sllovenisë, Kosova luajti për të mos u mposhtur.
“Besoj se Kosova duhet një herë ta shoh aspektin defensiv e pastaj kur ta kemi një lloj sigurie në fazën defensive, vjen edhe vetëbesimi dhe është më lehtë në fazën ofensive. E di se për shikuesit nuk duket loja shumë e bukur kur mbrohesh shumë, por po e shohim se në futboll ndryshe nuk shkon. Ne e dimë të gjithë se Kosova dëshiron ta ketë topin dhe të bëj lojë të mirë, por për të pasur sukses një herë duhet të jesh i sigurt në fazën defensive e pastaj të shikohen gjërat tjera”, deklaroi Pnishi.
Ish-reprezentuesi thotë se Kosova ka ndryshuar shumë.
“Ajo që po e shohim tani edhe më shumë është se trajnerët kanë më shumë guxim të marrin lojtarë edhe nga Superliga e Kosovës, ose që kanë luajtur 2-3 vjetët e fundit në ligën e Kosovës. Besoj se ata djem e sjellin një lloj mentaliteti brenda ekipit. Besoj se Kosova mund të arrijë edhe më shumë, ka shumë potencial. Shpresojmë se në ndeshjet e ardhshme do ta shohim këtë dhe të shkojmë në plejof, e pastaj vitin tjetër në Botërorin 2026”.
Pas ndeshjes me Slloveninë, Hajdari, Aliti e Muriq, e kanë përmendur në veçanti mbrojtjen mirë të organizuar.
“Jam shumë i kënaqur për debutimin, sidomos që nuk kemi pranuar gol. Për një mbrojtës kjo është gjëja më e mirë”, ka thënë Hajdari.
Aliti, që mungon ndaj Suedisë shkaku i suspendimit, tha se gjëja pozitive është që Kosova nuk ka pranuar gol në dy ndeshje.
Portieri Muriq bëri shumë pritje ndaj sllovenëve.
“Në mbrojtje kemi luajtur për herë të parë së bashku, paraqitja ishte shumë e mirë. E ardhmja është e ndritur. Duhet të vazhdojmë para, të kemi besim”, ka thënë Muriq.
Ndaj Suedisë të hënën mbrëma përveç Alitit e Dellovës, mungon edhe Rrahmani. Hajdari e Krasniqi do të kenë partner tjetër në vijën e fundit.