Sulmuesi Rey Manaj ka folur për mundësinë e përballjes së Shqipërisë ndaj Kosovës në pljeofin për kualifikim në Kupën e Botës 2026. Kosovës i duhet një pikë ndaj Sllovenisë të shtunën për të siguruar pljeofin, ashtu siç Shqipëria bëri të enjten mbrëma.
“Ne kemi arritur në pljeof, kemi bërë ndeshje të mira gjatë këtij cikli. Tani kemi ndeshje ndaj Anglisë, por me vëmendjen në mars. Shpresojmë të mos jetë Kosova kundërshtari në plejof. Por nëse njëra prej tyre siguron kalimin, nga njëra anë do të jemi të mërzitur dhe nga ana tjetër do të gëzoheshim që shqiptarët do të ishin në Botëor”, ka thënë Manaj.
Ai ka thënë se ndeshja kundër Andorrës ishte e vështirë.
“E dinim se do të jetë ndeshje e vështirë, pasi Andorra qëndron prapa si ekip. Jo gjithmonë shkojnë gjërat siç dëshiron. Në pjesën e dytë e rëndësishme ishte që fituam dhe siguruam plejofin. Vëmendja do të jetë në mars për të siguruar Botërorin”, ka thënë Manaj.
Ai ka falënderuar edhe për përkrahjen që ka marrë nga pas golit ndaj Serbisë në Leskovc.