Futboll

Prishtina fiton thellë dhe ruan vendin e parë

FC Prishtina

FC Prishtina

Prishtina në superformë e ka regjistruar edhe fitoren e tretë rresht dhe të pestën në Superligë këtë edicion.
Të dielën në terrenin me bar sintetik në Ferizaj, Prishtina fitoi ndaj Ferizajt me rezultatin 5:0. 
Ndeshja i takoi xhiros së shtatë, ndërsa ishte ndërprerë në minutën e 12-të për shkak të incidentit jashtë stadiumit. 
Prishtina në pushim shkoi me epërsi 3:0. 
Ardian Muja shënoi fillimisht në minutën e 29-të me asistim të Mario Ilievskit. 
Ilievski më pas u kthye në golashënues në minutën e 41-të për 2:0. 
Golin për 3:0 e shënoi mesfushori Dren Zeqiri, në minutën e 11-të të shtesës në pjesën e parë. 
Prishtina nuk u ndal as në pjesën e dytë dhe realizoi edhe dy gola të tjerë me dy zëvendësues. 
Fillimisht Blend Baftiu realizoi për 4:0 në minutën e 68-të, ndërsa golin e pestë dhe të fundit e shënoi Rin Ahmeti, nëntë minuta para fundit. 
Prishtina me këtë fitore e ruan edhe vendin e parë me 16 pikë, një më shumë se Ballkani. 
Ferizaj bie në pozitën e fundit me gjashtë pikë. Gjashtë pikë kanë edhe Llapi dhe Prishtina e Re, por me goldallim më të dobët.


Nuk ndalet Prishtina, shënon golin e pestë

Prishtina nuk ndalet në duelin ndaj Ferizajt dhe e ka shënuar golin e pestë. 
Golin për 5:0 e realizoi zëvendësuesi Rin Ahmeti, në minutën e 81-të.


Prishtina e shënon edhe golin e katërt

Prishtina e ka shënuar edhe golin e katërt në duelin në udhëtim te Ferizaj. 
Zëvendësuesi Blend Baftiu shënoi për 4:0 në minutën e 68-të. 
Pas një tollovie në zonë, topi përfundoi te mesfushori me tipare sulmuese, që nuk gaboi me goditje të saktë nga zona.


Prishtina me epërsi të lartë në Ferizaj

Prishtina ka krijuar epërsi të lartë në Ferizaj në pjesën e parë. 
Kryeqytetasit janë duke fituar 3:0 ndaj ferizajasve. 
Golin për 3:0 e realizoi mesfushori Dren Zeqiri. Ai me goditje të saktë nga zona realizoi në minutën e 11-të të shtesës në pjesën e parë. 
Ardian Muja dhe Mario Ilievski i shënuan dy golat e parë.


Prishtina shënon edhe një tjetër gol

Prishtina e ka shënuar edhe golin e dytë në ndeshjen ndaj Ferizajt në udhëtim. 
Për 2:0 realizoi sulmuesi Mario Ilievski. Ilievski shënoi në minutën e 41-të. Ai asistoi në golin e parë, të shënuar nga Ardian Muja.


Muja kalon Prishtinën në epërsi

Ardian Muja e ka kaluar në epërsi Prishtinën në minutën e 29-të, në duelin në udhëtim te Ferizaj. 
Aksionin e nisur nga portieri Altin Gjokaj, e vazhdoi Mario Ilievski, i cili pasoi për Mujën që nuk gaboi nga afërsia. 
Ndeshja ishte ndërprerë në minutën e 12-të. Policia e Kosovës njoftoi se ka pasur tentim përleshje mes tifozëve të të dyja skuadrave.


Rifillon ndeshja në Ferizaj

Ka rifilluar ndeshja e ndërprerë ndërmjet Ferizajt dhe Prishtinës. Kjo ndeshje ishte ndërprerë në minutë ne 12-të. Sipas Policisë, është parandaluar një përleshje mes tifozëve të të dyja skuadrave.

Rezultati është baras, 0:0.


Policia: Është parandaluar përleshja

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka thënë se nuk ka pasur përleshje jashtë fushës së futbollit në Ferizaj.

Ai ka thënë se Policia e Kosovës ka parandaluar përleshjen ndërmjet tifozëve të Ferizajt dhe tifo-grupit “Plisat”, në përkrahje të Prishtinës.

“Siç kam marrë informata nga terreni, sepse ende nuk ka ndonjë raport zyrtar, ka pasur një tentim përleshje. Por ka ndërhy shpejtë Policia dhe ka parandaluar përleshjen. Nuk kanë arritur të përleshen pas ndërhyrjes së Policisë”, ka thënë Veseli për KOHËN. Ndeshja pritet të rifilloj pas një ndërprerje, ndërsa në tribuna të fushës me bari artificial në Ferizaj shihen shumë pak shikues.


Ndërpritet ndeshja në Ferizaj

Është ndërprerë ndeshja ndërmjet Ferizajt dhe Prishtinës. Shkak deri te ndërprerja, siç mëson KOHA, erdhi pas një përleshje të tifozëve vendës me ata të Prishtinës “Plisat”.

Gjithçka ka ndodhur jashtë stadiumit në Ferizaj. Ndeshja është ndërprerë në minutën e 12-të të ndeshjes. Ka intervenuar edhe Policia e Kosovës.

 

Reagojnë “Plisat”

1 o. më parë / 28 sht 2025 15:46
ferizaj

 

Tifo-grupi “Plisat”, në përkrahje të klubit të futbollit Prishtina ka dalë me një reagim pas tollovisë së krijuar në Ferizaj. Në fakt, “Plisat” kanë publikuar një fotografi para nisjes për Ferizaj. “Na jena Plisat”, shkruan shkurt në postimin e “Plisave”.

Ndeshja Ferizaj - Prishtina është ndërprerë pak minuta pasi kishte nisur. Sipas Policisë, është parandaluar një përleshje mes tifozëve të të dyja skuadrave.