Futboll

Nga kategoria e gjashtë në Bundesligë, rrëfimi i pabesueshëm i lojtarit 25-vjeçar

m

Mainzi ka vendosur t’i ofrojë kontratë profesionale sulmuesit të ekipit të parë, Fabio Moreno Fell.

25-vjeçari nuk është vërejtur nga askush deri para fillimit të edicionit. Kjo ndodhi pasi Moreno Fell u bashkua me ekipin e Bundesligës në verën e kaluar nga skuadra e nivelit të gjashtë gjerman, TSV Gau-Odenheim.

Moreno Fell, i lindur në Spanjë, ka luajtur futboll te të rinjtë para se të siguronte një provë te rezervat e Ingolstadtit gjatë edicionit 2019/2020. Pasi prova nuk ishte e suksesshme ai vazhdoi karrierën në klube të ndryshme të nivelit të pestë dhe nivelit të gjashtë gjerman.

Më 1 korrik iu bashkua ekipit të dytë të Mainzit, që garon në kategorinë e katërt gjermane. Në 16 paraqitje në Regionalliga për Mainzin II, i shënoi nëntë gola dhe i bëri tri asistime. Për herë të parë në ndeshje të Bundesligës u grumbullua më 1 nëntor. U grumbullua sërish më 30 nëntor, ndërsa më 5 dhjetor startoi në humbjen 1:0 nga Borussia Monchengladbachu. Ishte sërish në stol në ndeshjen ndaj Bayernit në fundjavë, që përfundoi 2:2.

“Futbolli ndonjëherë ofron tregime të veçanta”, ka thënë drejtori teknik i Mainzit, Meikel Schonweitz, me rastin e nënshkrimit të kontratës profesionale me sulmuesin. “Është e jashtëzakonshme të shohësh një lojtar në ‘Verbandsliga’ në Gau-Odernheim në pranverë dhe më pas ta shohësh të njëjtin duke luajtur në Bundesligë në fund të vitit. Fabio ka shfaqur kualitetin e tij vazhdimisht që nga fillimi i edicionit . Ai është shumë modest dhe i përkushtuar në punën e tij”, ka shtuar Schonweitz.

Ai ka theksuar se janë të lumtur që e shohin lojtarin me fanellën e Mainzit dhe do ta përkrahin zhvillimin e tij të mëtejmë.

“Mund të vazhdoj zhvillimin këtu në kushte optimale dhe jam shumë mirënjohës për besimin dhe përvojën që tashmë e kam fituar me profesionistët”, ka thënë Moreno Fell. “Kjo më ka mundësuar që të realizoj ëndrrat. Tani varet nga unë nëse do ta vazhdoj këtë rrugë. Natyrisht, do të vazhdoj të punoj shumë”.

TeTSV Gau-Odernheim i realizoi plot 50 gola në edicionin e kaluar. Me ekipin U23 të Mainzit fillimisht firmosi kontratë të vlefshme deri në vitin 2027. Tani ka nënshkruar kontratë të re me Mainzin.

Trajneri Urs Fischer ka besim në lojtarin që deri vonë ishte në ligat e ulëta gjermane.

“Është tregim vërtetë i pabesueshëm”, ka thënë ai.

Synimi i radhës për Fellin mund të jetë goli i parë me ekipin e parë të Mainzit.