Nëntë ndeshje pa shënuar gol është periudhë e gjatë për një sulmues. Këtë e pranon edhe vet sulmuesi Rilind Nivokazi.
Por 26-vjeçari kishte bindjen se goli i radhës në Superligën e Zvicrës do të vinte.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDhe Nivokazi nuk shënoi një, por plot tre gola të dielën për Sionin që mposhti Young Boysin me rezultatin 3:1.
“Nuk e kam pritur. Kanë kaluar disa ndeshje që nuk kam shënuar dhe disi kisha një llok presioni. Por jam shumë i gëzuar që shënova. Pas golit të parë u qetësova, pasi isha në stres. Por kur shënova golin e dytë i thash vetes se është dita të shënoj edhe golin e tretë. Shënova golin e tretë, por u anulua për pozitë jashtë loje dhe e ndieva se para se të dalë nga fusha do ta shënoj edhe një gol. Më ndihmoi Zoti dhe shënova ‘hat-trick’. Shënova kundër një kundërshtari siç është Young Boysi, një prej ekipeve më të mira të Zvicrës dhe kjo e bën edhe më të veçantë ‘hat-trickun’, të cilin ia dedikoj familjes që më ka qëndruar pranë dhe më ka mbështetur gjithmonë”, ka thënë Nivokazi për KOHËN të hënën.
Golin e pare Nivokazi e shënoi në minutën e 15-të, të dytin në minutën e 42-të, kurse “hat-trickun” e kompletoi në minutën e 77-të. Nivokazit iu anulua një gol në minutën e 60-të.
Për Nivokazin ishte “hat-tricku” i parë në Superligën e Zvicrës, ndërsa në total në 26 ndeshje ka 11 gola.
“Në Superligë është ‘hat-tricku’ i parë. Kam shënuar edhe në të kaluarën, por ky është më i veçantë. Më ka liruar shumë në aspektin psikologjik. Jam një njeri krejt ndryshe. Po ndihem si të isha 10-15 vjeçar jo 26. Uroj të shënoj gola tjerë. Ekipi vjen përpara, ne kemi një objektiv të arrijmë në mesin e gjashtë më të mirëve. Uroj të bëjmë më shumë. Kam një objektiv edhe për gola, por nuk dua ta zbuloj sepse kam frikën se mund të mos ndodhë”, thotë Nivokazi.
Para se të paraqitej për Kosovën U21, Nivokazi kishte luajtur për Italinë në grupmoshën U18, U17 dhe U16. Te Kosova A së fundi ishte në listën rezervë. Shpreson në ftesë nga Franco Foda.
“Dëshira është në nivel maksimal. E pres, por para meje ka lojtarë shumë të fortë. Trajneri është ai që vendosë. Po të ftohem, do të isha njeriu më i gëzuar. Por nëse jo, do të vazhdoj të punoj. Unë shpresoj çdo ditë për ftesë sidomos pas ‘hat-trickut’. Kam biseduar me vëllain dhe i kam thënë se ndoshta ky ‘hat-trick’ është një shenjë që do të ftohem. Por edhe nëse jo, unë do të vazhdoj punën time pa u ndalur dhe të pres momentin tim”, ka thënë Nivokazi.
Në sulm te Kosova konkurrenca është e madhe. Si sulmues kryesor është Vedat Muriqi që luan për Mallorcan. Përkrah Muriqit në sulm ka luajtur së fundi Fisnik Asllani i Hoffenheimit. Edhe Albion Rrahmani është prej lojtarëve që inkuadrohet herë pas herë në lojë te Kosova.
Muriqi e Asllani pritet të paraqiten në sulm sërish në ndeshjen gjysmëfinale të plejofit për Kupën e Botës 2026 kundër Sllovakisë.