Presidenti i klubit rumun FCSB, Gigi Becali, ka thënë se do të dërgojë në Kosovë 20 truproja për ta mbrojtur skuadrën për shkak të “situatës së sigurisë”.
FCSB-ja nesër luan me Dritën në Bukuresht në kuadër të rrethit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Ndeshja e kthimit luhet pas një jave në Prishtinë. Kampioni rumun u eliminua nga Shkëndija në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Vetë Becali kishte nxitur reagime me disa deklarata fyese për dy skuadrat shqiptare ditë më herët.
Në një paraqitje në emisionin “Fanatik Superliga”, moderatori Horia Ivanovici i tregoi Becalit se emri “Drita” në gjuhën shqipe do të thotë “dritë”. Në reagimin e tij, Becali bëri një krahasim befasues duke thënë se “vetëm një person mund të jetë dritë”, duke aluduar në figurën e Jezu Krishtit.
Por ajo që tërhoqi më së shumti vëmendje ishte deklarata e tij për masat e sigurisë. Ai ka thënë se në ndeshjen që do të zhvillohet në Kosovë, do të dërgojë rreth 20 truproja për të mbrojtur skuadrën.
“Kështu më kanë thënë, që atje ka dhunë. Kam dëgjuar se janë bërë kërcënime. Nuk dua të them shumë, nuk dua t’i fyej ata, por kështu është më mirë”, ka thënë presidenti i FCSB-së.
Më tej, ai u shpreh se nuk ka asgjë personale me ekipin nga Gjilani, por theksoi se është informuar se situata në Kosovë kërkon kujdes të shtuar për sigurinë.