Në ranglistën e re të FIFA-s Kosova është në pozitën më të mirë që ka pasur ndonjëherë. Ranglista e përfaqësueseve më të mira të futbollit është publikuar të premten, ndërsa Kosova renditet e 84-ta. Asnjëherë nuk ka qenë kaq lartë në renditje.
Kosova ka përparuar për plot shtatë pozita në krahasim me ranglistën e kaluar, të publikuar më 18 shtator. Vetëm Nigeri, Lesoto dhe Ishujt Faroe kanë përparuar më shumë se Kosova, përkatësisht nga nëntë pozita. Ndërkohë rënien më të madhe e pësuan Greqia dhe Suedia, që janë tetë pozita më poshtë se në shtator.
Por cila është rëndësia e vërtetë e ranglistës së FIFA-s?
Rëndësia është shumë e madhe. Për shembull Kosova synon të paktën paraqitjen në plejofin kualifikues për Kupën e Botës 2026. Në plejof paraqiten përfaqësueset që përfundojnë në vendet e dyta nëpër grupet kualifikuese. Ndarja e tyre në vazo për shortin e plejofit bëhet në bazë të ranglistës. Rrjedhimisht sa më e lartë pozita, kundërshtarët e plejofit janë më të dobët dhe gjasat për sukses më të mëdha.
Në plejof paraqiten 16 përfaqësuese gjithsej. Katër prej tyre kualifikohen direkt.
Edhe ndarja e përfaqësueseve në vazo për shortin e Botërorit 2026 bëhet përmes ranglistës së FIFA-s. Kosova shpreson të jetë në Botëror.
Ranglia ka të bëjë edhe me rejtingun e përfaqësueseve. Natyrisht nuk është njëjtë si të luash në një përfaqësuese të Top-10 të ranglistës si në një përfaqësuese që është mbi pozitën e 100-të, për shembull.
Te Kosova për kohë shumë të gjatë kanë synuar që të renditen në Top-100 të UEFA-s.
Pozita e parë e Kosovës në FIFA ishte 190. Në vitin 2016 pozita e fundit e Kosovës ishte e 165-ta. Në vitin 2017, Kosova pësoi rënie – 177. Më pas u ngrit në pozitën 131 e 115, para se të binte në vendin 117 në vitin 2020. Vitin 2021 e përfundoi e 111-ta, kurse në vitin 2022 ishte e 107-ta. Në vitin 2023 u ngrit në vendin e 101-të, ndërsa vetëm në vitin 2024 u arrit synimi për hyrje në 100-she. Pozita e Kosovës ishte e 99-ta.Këtë vit më së keqi ishte në pozitën e 97-të, ndërsa tani është e 84-ta.
Në nëntor, “Dardanët” luajnë me Slloveninë dhe Zvicrën. Nëse vazhdohet ecuria aktuale, Kosova do të përparojë edhe për shumë pozita të tjera.
Ranglista përpilohet bazuar në rezultate, por edhe në forcën e kundërshtarit. Dhe forca përcaktohet pikërisht përmes ranglistës.