Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

“Pse nuk luajmë me Kosovën në futboll? Duhet të luajmë!”

tifoze

“Nga Sarajeva”, përgjigjet njëri prej tifozëve të Bosnjë-Hercegovinës, kur pyetet se prej cilit vend erdhi në Prishtinë.

“Por ka edhe nga vendet e tjera. Ka edhe nga Novi Pazari. Ka edhe nga Gjermania e vende të tjera”, vazhdon tifozi. Ai refuzon të tregojë se si quhet, si shumica e tifozëve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ishte më i riu në mesin e afro 40 tifozëve që të dielën mbrëma bënë tifo për përfaqësuesen e Bosnjë-Hercegovinës në hendboll në ndeshjen në Pallatin e Rinisë ndaj Kosovës.

Kosova fitoi 33:29, por tutje në kualifikimet për Botëror avancoi Bosnjë-Hercegovina, falë fitores me 13 gola dallim të enjten në Tuzla.

Edhe në Tuzla, Bosnja kishte përkrahjen e tifozëve. Tifozët, të njohur si “BHFanaticos” bënë bujë tri vjet më parë kur në një ndeshje hendbolli, po në Tuzla, shpalosën banerin “Mirë se vini lojtarë të Kosovës së PAVARUR”.

Këtë herë nuk kishte baner. Kishte përkrahje për Bosnjën në të dy ndeshjet.

Për shkak të ndikimit serb, përkatësisht të drejtës së tyre për të bllokuar vendimet, Bosnjë-Hercegovina nuk e njeh shtetin e Kosovës. Por tifozët boshnjakë e njohin Kosovën si shtet.

Derisa në hendboll nuk ka ndalesa që Kosova të luajë me Bosnjë-Hercegovinën dhe tashmë përfaqësueset e dy vendeve janë përballur shumë herë, në futboll kjo nuk lejohet. Që më 9 qershor 2016, UEFA vendosi që Kosova nuk mund të luajë me Bosnjë-Hercegovinën “për arsye sigurie”. Dhe ai vendim është ende në fuqi.

“Është absurde. Pse të mos luajmë me Kosovën në futboll? Nuk ka arsye për këtë. Kosova është shtet i pavarur dhe ne duhet të luajmë edhe ndaj saj”, thotë lideri i dhjetëra tifozëve boshnjakë që ishin të dielën mbrëma në Prishtinë.

Ai fillimisht heziton të flas. Por pasi iu bëhet pyetja, përgjigjet gjatë.

“E dimë që ka të bëjë me politikë. Të gjithë e dinë këtë. Por është vendim i pakuptimtë. Shqiptarët e boshnjakët kanë pasur armik të njëjtë. Dhe tani nuk mund të luajnë mes tyre për shkak të armikut të përbashkët”, vazhdon tifozi.

Shumica prej tifozëve që përkrahën Bosnjë-Hercegovinën në Prishtinë kishin fanella me shenjën e “BHFanaticos”. Ky është tifo-grupi zyrtar i Bosnjë-Hercegovinës. Kishte edhe anëtarë të “Torcida Sanxhak”. Madje u shpalos gjithë kohën edhe një flamur i këtij grupi. Ata përkrahin klubin e futbollit Novi Pazari, nga qyteti me emrin e njëjtë në territorin e Serbisë, fare pranë kufirit me Kosovën.

“Në Kosovë po kalojmë shumë mirë. Nuk e kemi pasur asnjë problem. Shpresojmë që herën tjetër të vijmë për ndeshje të futbollit. Por urojmë që kjo të bëhet e mundshme sa më shpejt. Ai vendim absurd duhet të shfuqizohet”, thotë tifozi boshnjak.

Klubet kosovare të hendbollit po ashtu përballen shpesh me klube nga Bosnjë-Hercegovina. Në qytetet ku shumica janë boshnjakë, nuk kanë telashe asnjëherë. Por kanë pasur telashe kur kanë luajtur në qytete të Republika Srpskas, një prej dy entiteteve të Bosnjë-Hercegovinës. Për shembull në Banjallukë, shqiptarët janë fyer rëndë gjatë ndeshjeve të hendbollit.

Dhe pikërisht për shkak të ekzistimit të Republika Srpskas, Bosnjë-Hercegovina nuk e njeh Kosovën dhe dy vendet nuk luajnë ndeshje futbolli.