Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, e ka cilësuar të rëndësishme fitoren ndaj Shelbournet në Ligën e Konferencës.
“Ua uroj fitoren, ishte ndeshje e mirë me shumë vrap dhe angazhim. Unë mendoj se edhe epërsia numerike në fushë na lehtësoi punën, por jam i kënaqur me fitoren. E dinim se kundërshtari ka një sulm të shpejtë, u mbrojtëm mirë dhe erdhi momenti i ndëshkuam. Jam i lumtur me këtë fitore dhe duhet të vazhdojmë përpara”, ka thënë Ramadani në konferencën për media pas ndeshjes.
Ai ka theksuar se fitorja ndaj ekipi irlandez ka rëndësinë e vet. Por ka shtuar se, Drita ka shënuar fitore me peshë të madhe në të kaluarën.
“Deri më tani është fitorja e një rangu më të lartë, por më e rëndësishme nuk mund të them sepse kemi arritur fitore që ka pasur vlerën e titullit. Secila fitore ka vlerën e vet dhe e respektoj çdo fitore apo barazim. Normalisht çdo humbje dimë ta menaxhojmë dhe ta respektojmë”, është shprehur trajneri shkupjan.
Për Dritën ishte fitorja e parë në Evropë, përkatësisht në Ligën e Konferencës. Ka edhe dy barazime këtë edicion në fazën e ligës në Ligën e Konferencës.