Futboll

Sfidat e lojtarit të Hajdukut

Hajduku

Hajduku i Splitit dhe Dinamo e Zagrebit do të luajnë në derbin e xhiros së 33-të të kampionatit kroat. Sfida është e vlefshme për titull kampioni. 

Hajduku ka 56 pikë, aq sa ka edhe liderja Rijeka. Një më pak e ka Dinamo e vendit të tretë. 

Gjatë përgatitjeve për këtë duel, të mërkurën ka ndodhur një ngjarje e pazakontë, ka shkruar mediumi kroat “Index”. Ngjarja ndodhi me futbollistin 20-vjeçar të Hajdukut, Rokas Pukshtas. 

Mesfushori me nënshtetësi amerikane arriti në kohë në stërvitje, por ka hasur në shumë vështirësi. 

Pukshtas ishte nisur me makinë për në qendrën stërvitore. Por për shkak të një aksidenti, rruga ishte e bllokuar. Ai vendosi që ta lërë makinën në një vendparking, për të vazhduar me bicikletë. 

Pasi udhëtoi afro dy kilometra me biçikletë, ra në një pusetë dhe u rrëzua pa lëndime, por biçikleta u bë e papërdorshme. E la atë në një anë të rrugës dhe nuk u dorëzua. Me çantën në shpinë, ai vrapoi për gjashtë kilometra dhe arriti në kohë në stërvitje. 

Pukshtas njihet si futbollist që punon shumë, por kishte probleme me trajnerin Gennaro Gattuso. 

Ai ishte përjashtuar nga ekipi në tetor të vitit të kaluar, por është kthyer më pas. 
Këtë edicion, Pukshtas ka 33 paraqitje, një gol dhe një asistim.