Xherdan Shaqiri ka shënuar gol në derbin e zjarrtë ndërmjet Baselit dhe Zurichut.
Baseli të dielën mbrëma e fitoi në fund 2:1 derbin ndaj Zurichut në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 23-të të elitës së futbollit zviceran.
Baseli ishte në disavantazh prej një goli deri në minutën e 90-të por brenda gjashtë minutave shënoi dy herë për t’i dhënë fund ecurisë prej tri disfatave radhazi.
Zurichu e mbylli pjesën e parë në epërsi me golin që e shënoi Ilan Sauter në minutën e 16-të.
Shaqiri ishte i saktë nga penalltia në minutën e 90-të për 1:1. Në sekondat e fundit, Ibrahim Salah, e shënoi golin e fitores 2:1.
Futbollisti shqiptar, Shaqiri, e kompletoi ndeshjen dhe ishte prej më të mirëve në fushë. Ndërkohë bashkëlojtari i Shaqirit, Dion Kacur, u detyrua ta lë fushën në minutën e 63-të për shkak të një lëndimi.
Te Zurichu ndeshjen e kompletuan Bledian Krasniqi dhe Lindrit Kamberi.
Për 34-vjeçarin Shaqiri ishte goli i 15-të këtë edicion. Ka edhe 13 asistime.
Baseli ka 39 pikë dhe renditet në pozitën e katërt. Zurichu e zë vendin e nëntë me 25 pikë.