Futboll

Shishe të mbushura me zall në drejtim të lojtarëve, Vushtrria pritet të dënohet

KF Vushtrria

Komisioni i Garave i Superligës dhe Ligës së Parë të Kosovës në futboll ka bërë inicim disiplinor ndaj klubit Vushtrria për shkeljet e shumta gjatë ndeshjes me Lirinë, të zhvilluar të shtunën.

Ndeshja Vushtrria – Liria i takoi Ligës së Parë.

Pas ndeshjes lojtarët e Lirisë mbetën 20 minuta në fushë për shkak të hedhjes së gjësendeve nga ana e tifozëve vushtrrias, shkruan në raportin zyrtar të Komisionit të Garave të publikuar të martën nga FFK-ja.

“Në minutën e parë të ndeshjes janë hedhur në fushë mjete piroteknike (tymuese), që kanë shkaktuar ndërprerjen e lojës për rreth 30 sekonda. Në minutat 50 dhe 74 janë hedhur në fushë disa shishe plastike. Në minutën e 84-t, pas shënimit të golit nga KF Liria, një pjesë e tifozëve të Vushtrrisë kanë reaguar duke hedhur gurë, shkrepëse dhe sende të forta në drejtim të trajnerit dhe bankinës së KF Liria. Pas përfundimit të ndeshjes, nga tribuna perëndimore janë hedhur në drejtim të gjyqtarëve dhe lojtarëve të KF Lirisë shishe plastike të mbushura me zall, gurë, shkrepëse dhe sende të tjera të forta, përveç sharjeve dhe fyerjeve të shumta verbale. Si pasojë, gjyqtarët dhe lojtarët qëndruan në fushë për rreth 20 minuta”, shkruan në njoftimin për vendimet e Komisionit të Garave.

Sjellje të papranueshme bëri edhe kapiteni i Vushtrrisë, Daut Maxhuni. Dhe ai pritet të dënohet po ashtu.

“Pas përfundimit të ndeshjes, lojtari në mënyrë të qëllimshme godet dhe dëmton mikrofonin qendror të produksionit, duke e nxjerrë jashtë funksionit. Si pasojë, produksioni nuk ka mundur të vazhdojë përdorimin e mikrofonit të dëmtuar”.