Futboll

Si avancon Shqipëria dhe kush paraqitet në plejof?

Shqiperia

Me fitoren e së shtunës mbrëma ndaj Serbisë në Leskovc, Shqipëria ka bërë hap gjigant drejt vendit të dytë në Grupin K të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Vendi i dytë në grup në kualifikimet evropiane nuk ofron biletën për Botëror, por ofron vend në plejof.

Për Shqipërinë do të ishte sukses shumë i madh. Deri më tani kuqezinjtë asnjëherë nuk janë paraqitur në plejof për kualifikim në Botëror.

Deri në fund të kampanjës kualifikuese, Shqipëria i ka edhe dy ndeshje. Më 13 nëntor luan në udhëtim ndaj Andorrës dhe do të ishte befasi shumë e madhe nëse nuk i fiton tri pikët.

Ndërkohë më 16 nëntor e pret Anglinë në “Air Albania” në Tiranë.

Aktualisht Shqipëria është e dyta në Grupin K me 11 pikë nga gjashtë ndeshje. Anglia udhëheq me 15 pikë nga pesë ndeshje dhe thuajse e ka siguruar vendin e parë që dërgon në Botëror.

Ndërkohë Serbia është e treta me shtatë pikë nga pesë ndeshje. Pra ka katër pikë më pak se Shqipëria.
Serbia të martën mbrëma luan në udhëtim ndaj Andorrës dhe vlerësohet favorite e madhe. Por edhe me fitore, mbetet një pikë prapa Shqipërisë.

Kështu, vendimtare do të jenë ndeshjet e 13 nëntorit. Ka pak gjasa që Anglia të lëshoi pikët ndaj Serbisë në “Wembley”. Dhe në të njëjtën kohë që Shqipëria të lëshojë pikët në udhëtim ndaj Andorrës.

Me fitore të Shqipërisë dhe të Anglisë, vendi i dytë do të ishte i kuqezinjve. Me këtë skenar, Shqipëria sërish do t’i kishte katër pikë më shumë se Serbia, një xhiro para fundit.

Kjo do të bënte që ndeshja e 16 nëntorit, Shqipëri – Angli, të ishte festive. Dhe ndeshja tjetër, Serbi – Letoni, të ishte pa vlerë. 

Arritja në plejof, megjithatë është gjysma e rrugës drejt Botërorit.

Në plejof paraqiten 12 përfaqësueset që përfundojnë në vendet e dyta në grupet kualifikuese dhe katër përfaqësueset më të mira të Ligës së Kombeve që përfundojnë më poshtë se dy pozitat e para në grupet kualifikuese. Gjithsej në plejof paraqiten 16 përfaqësuese.

Në plejof formohen katër mini-grupe, ku gara zhvillohet në formë eliminimi. Janë dy gjysmëfinale dhe finalja e secilit grup. Dhe fituesit e katër finaleve sigurojnë biletën e Botërorit.

Rruga deri në Botëror është e gjatë, por vetë paraqitja në plejof do të ishte sukses shumë i madh për kuqezinjtë.