Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Si e ktheu Interi “dëshpërimin e trefishtë” në sukses

Interi

Interi e shndërroi “dëshpërimin e trefishtë” nga edicioni i kaluar në dominim në Itali.

Interi e mposhti Parman 2:0 të dielën për ta kthyer titullin e kampionit në qytetin e Milanos. Tri xhiro para fundit, Interi i ka 12 pikë më shumë se Napoli.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Skuadra e famshme do të përfundojë me dy trofe, nëse e mposht Lazion në finale të Kupës së Italisë, më 13 maj. Për herë të fundit i ka fituar dy trofetë vendorë kur Jose Mourinho ishte në krye dhe i fitoi tre trofetë e mëdhenj, në vitin 2010.

Festa e së dielës ishte shumë larg zhgënjimit të hidhur të vitit të kaluar. Një edicion shumë premtues në fund e la Interin duarbosh.

Një muaj para fundit të edicionit të kaluar, Interi ishte në rrugën e duhur për tre trofe të mëdhenj.

Përfundoi një pikë prapa Napolit në Serie A, humbi në gjysmëfinale të Kupës së Italisë dhe u shpartallua, 5:0, nga PSG-ja në finalen më të pabararbartë të Ligës së Kampionëve në histori.

Ndryshimi i trajnerit

Nuk ishte shumë befasi kur Simone Inzaghi u largua nga Interi në fund të edicionit të kaluar. Por emërimi i Cristian Chivu, që ishte trajner me përvojë jo shumë të madhe, ngriti dyshime.

Kishte pasur thashetheme për largimin e Inzaghit për disa javë, me trajnerin e njohur që mori kontratë luksoze në Arabi Saudite, tek Al-Hilal.

Inzaghi e udhëhoqi skuadrën për katër vjet, gjatë të cilës periudhë Interi e fitoi ligën në vitin 2024 dhe u paraqit në dy finale të Championsit. Ai po ashtu fitoi dy Kupa të Italisë.

Chivu e kishte udhëhequr Parman vetëm në 13 ndeshje në Serie A, duke ofruar siguri te skuadra pasi iu dha detyra e parë si trajner në shkurt të vitit të kaluar.

Ai e njihte Interin pasi kishte kaluar shtatë vjetët e mëparshëm në ekipet e ndryshme të të rinjve të klubit. Rumuni e kishte përfunduar karrierën si lojtar tek Interi, në vitin 2014.

Ish-mbrojtësi ishte pjesë e ekipit të famshëm që fitoi tripletën në vitin 2010: Ligën e Kampionëve, Serie A dhe Kupën e Italisë. Chivu po ashtu ndihmoi “nerazzurët” të fitonin dy tituj të tjerë në Serie A.

Qasja e rumunit si trajner dhe idetë e reja të tij e rigjallëruan skuadrën e Interit. Ai e bëri skuadrën më agresive, risolli harmoni në zhveshtore dhe integroi talente të akademisë si Pio Esposito.

Rivalët

Chivu po ashtu solli metoda të reja stërvitore tek Interi, për të përmirësuar gjendjen e përgjithshme fizike të ekipit. Lëndimet e shumta i kushtuan shtrenjtë “nerazzurëve” në edicionin e kaluar. Këtë edicion pos Denzel Dumfries dhe Hakan Çalhanoglut, lojtarët e rëndësishëm shmangën qëndrimin e gjatë jashtë fushës. 

Ndryshe ishte te rivalët, sidomos te Napoli. Kampioni i edicionit të kaluar u godit nga lëndimet gjatë gjithë edicionit. Madje lëndimet te Napoli u shfaqën ende pa nisur edicioni.

Rimëkëmbja

Në një moment dukej se edicioni i Interit do të shembej, si vitin e kaluar. Skuadra u eliminua nga Bodo/Glimt në Ligën e Kampionëve, por u kthye me fitore ndaj Genoas në Serie A. Dhe u shkëput në 13 pikë.

Por ishte vetëm një nga dy fitore në tetë ndeshje. Dhe përnjëherë epërsia u zvogëlua në gjashtë pikë. Ajo seri e keqe përfundoi me fitore 5:3 ndaj Romës dhe skuadra më nuk shikoi prapa. Mbajti epërsi që në fund ia solli titullin dhe tani mund të bëhet gati për finale të Kupës së Italisë.