Futboll

Si e transformoi Franco Foda përfaqësuesen e Kosovës?

Franco Foda

Për kohë të gjatë formacioni i Kosovës nuk është menduar pa Amir Rrahmanin në qendër të mbrojtjes dhe pa Milot Rashicën apo Edon Zhegrovën, apo edhe të dytë bashkë, në krahë të sulmit. Mungesa e lojtarëve të rëndësishëm kryesisht është vërejtur në performancën e përfaqësueses.

Por Kosova ka ndryshuar. Shumë madje. Aktualisht është në momentin më të mirë prej se ka nisur me ndeshje garuese, një dekadë më parë.

Në fitoren 1:0 ndaj Suedisë, të hënën mbrëma në Goteborg, Kosova ishte me shumë mungesa. Me ekip gjysmak do të mund të thoshin ata që nuk janë ithtarë të ndryshimeve të shpeshta.

Kanë munguar tre qendërmbrojtësit që për kohë të gjatë ishin kryesorët: kapiteni Amir Rrahmani, Lumbardh Dellova e Fidan Aliti. Ka munguar edhe Elvis Rexhbeçaj në mesin e fushës. Mungoi edhe Leart Paçarada në krahun e majtë, ndërsa kishte edhe mungesa të tjera të rëndësishme.

Por Kosova më nuk varet nga individë. Kjo është kryesisht meritë e selektorit Franco Foda, por edhe e kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, që solli “përforcime” cilësore në muajt e fundit.

Tani Albian Hajdari është po aq i mirë sa Rrahmani e të tjerët në qendër të mbrojtjes. Veldin Hoxha bëri që mungesa e Rexhbeçajt në mesfushë të mos vërehet, ndërsa Leon Avdullahu, ndonëse me pak ndeshje, është pjesë e rëndësishme e këtij reparti. Të tre këta lojtarë janë bashkuar me Kosovën në muajt e fundit.

Përfshirja e tyre e menjëhershme në skuadër është natyrisht edhe meritë e selektorit Foda.

Tekniku gjerman vazhdimisht ka përsëritur se te Kosova nuk ka lojtarë të pazëvendësueshëm. Dhe këtë po e dëshmon në praktikë.

Fitorja 1:0 ndaj Suedisë vlerësohet prej më të mëdhave të Kosovës deri më tani. U arrit, ndër të tjera, duke mbajtur Milot Rashicën e Edon Zhegrovën në stol. Madje Rashica nuk e fitoi rastin asnjë minutë.

Suedia nuk është në moment pozitiv, por kjo nuk e zvogëlon vlerën e fitores së Kosovës. Dhe të punës së Fodas te Kosova po ashtu. 

Kosova nisi si më keq kualifikimet për Kupën e Botës 2026 – me humbje 4:0 nga Zvicra në Basel. Por reagoi menjëherë duke fituar 2:0 ndaj Suedisë. Ishte fitore që zhgënjimin e ktheu në entuziazëm.

Pasoi barazimi i vështirë me Slloveninë në Prishtinë dhe fitorja tjetër ndaj yjeve suedezë të hënën mbrëma. 

Dy xhiro para fundit të kualifikimeve për Botërorin 2026, Kosova është e dyta në Grupin B me shtatë pikë. Zvicra i ka dhjetë, ndërsa Sllovenia i ka tri në pozitën e tretë. Suedia është jashtë, me vetëm një pikë. 

Më 15 nëntor janë ndeshjet Sllovenia – Kosova dhe Zvicra – Suedia. Më 18 nëntor janë ndeshjet Kosova – Zvicra dhe Suedia – Sllovenia. Që më 15 nëntor, Kosova mund ta sigurojë vendin e dytë në grup dhe plejofin. Është ende në garë për vendin e parë në grup, por që duket më i largët dhe nuk varet vetëm nga “Dardanët”. Por tashmë gjasat janë më të mëdha që Kosova të jetë në plejof se që të mos jetë. 

Ky do të ishte sukses shumë i madh për Kosovën dhe për Fodan. 

Pasi mori drejtimin e Kosovës, në shkurt të vitit të kaluar, ai ka treguar autoritetin herë pas herë. Për shembull kur dënoi Zhegrovën, Aro Muriqin e Florent Muslijën. Jo rrallë shihet duke iu drejtuar me zë të lartë lojtarëve gjatë ndeshjeve, sidomos kur gjërat nuk shkojnë mirë.

Disiplina taktike vlerësohet se te përfaqësuesja është në nivel dukshëm më të lartë se në periudhën para Fodas. 

Ai ka drejtuar Kosovën në 17 ndeshje deri më tani. Me gjermanin në stol, Kosova ka 11 fitore, vetëm një barazim dhe pesë humbje. Njëra prej humbjeve është me rezultat zyrtar, nga Rumania.

Më së rëndi është përjetuar humbja nga Zvicra, por reagimi pas saj ishte i papritur dhe shumë pozitiv. Kjo natyrisht është meritë e madhe e trajnerit, por edhe e grupit të lojtarëve.

Foda e di që në Kosovë shpesh kalohet nga dëshpërimi në entuziazëm dhe nga entuziazmi në dëshpërim. Dhe gjërat i merr me kujdes e maturi.

Kështu është shprehur edhe pas fitores së shënuar të hënën në Suedi.

“Në Kosovë emocionet janë shumë të mëdha. Pas ndeshjes me Zvicrën të gjithë ishin të zemëruar. Por pasi kemi shtatë pikë nga tri ndeshjet e radhës, të gjithë janë euforikë. Brenda një muaji kemi ndryshuar shumë, sidomos në skuadër. Kemi shumë lojtarë që janë të gatshëm të luajnë për Kosovën. Edhe konkurrenca është më e madhe në ekip. Edhe kur kemi mungesa, kemi konkurrencë”, ka thënë Foda.

Në aspektin taktik ndryshimet janë lehtë të dukshme.

Pasi vendosja më ofensive kushtoi shtrenjtë ndaj Zvicrës, selektori i “Dardanëve” vendosi për mbrojtje të ngjeshur për tri ndeshjet e radhës. Në dy takimet me Suedinë vendosja e pesë lojtarëve në vijën e fundit “ndezi”.

Ndryshimin e përbërjes nuk e ka problem Foda. 

Për shembull, në vend të Albion Rrahmanit që luajti në dy ndeshjet e kaluara, të hënën në sulm startoi Fisnik Asllani. Dhe pikërisht Asllani e shënoi golin. Ndonëse në dispozicion kishte Valon Berishën, Lindon Emërllahun e Muharrem Jasharin, Foda vendosi ta aktivizojë Veldin Hoxhën në mesfushë.

Fitorja 1:0 tregon se vendimet ishin të duhura. Vuajtja e përfaqësueses në pjesën e dytë nuk mbahet mend gjatë. Mbahet mend fitorja ndaj Suedisë. Dy rresht madje. 

Në futboll janë rezultatet që përcaktojnë lojtarin e sidomos trajnerin. Franco Foda i ka ato.