Futboll

Sylvinho “tregon” se sa shqiptar ndihet pas fitores ndaj Serbisë

Sylvinho

(KD) – Fitorja e Shqipërisë ndaj Serbisë në Leskovc të shtunën mbrëma u përcoll me festë të madhe nga shqiptarët në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Luginë, Mal të Zi dhe në shumë vende të tjera. Festa për fitoren e madhe kundër Serbisë do të kompletohet të martën pas ndeshjes miqësore që Shqipëria e luan kundër Jordanisë nga ora 19:00, në “Air Albania”, në Tiranë.

Përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho, ka thënë se duhet të nisin shpejt punën për dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Kupën e Botës 2026.

Me fitoren 1:0 ndaj Serbisë, Shqipëria ka bërë hap të madh drejt plejofit për kualifikim në Botërorin që vitin e ardhshëm mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Më 13 nëntor, Shqipëria e ka ndeshjen e parafundit. Luan në udhëtim ndaj Andorrës, kurse më 16 nëntor e pret në Tiranë favoriten e grupit, Anglinë.

“Jam pak i lodhur, pasi kthimi në shtëpi ishte i vonshëm dhe kishte shumë njerëz në aeroport. E kemi thënë edhe më herët se nuk ishte një ndeshje normale ajo ndaj Serbisë. Por eksperienca që lojtarët kanë fituar në Evropian na ka ndihmuar shumë në menaxhimin e situatës në një ndeshje të kësaj rëndësie. Llogaritë që duhet të bëjmë janë ndeshjet që na mbeten në nëntor. Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme. Jam shumë i lumtur për mënyrën se si është paraqitur ekipi dhe dua të theksoj që është hera e parë në histori ndoshta që kombëtarja në dy ndeshjet e fundit luan çdo gjë për kualifikim. Pra ka arritur në një nivel të tillë që mund të sigurojë plejofin e Botërorit”, ka thënë Sylvinho në konferencë për media, të hënën.

Pas fitores ndaj serbëve, ekipi i drejtuar nga Sylvinho është forcuar në vendin e dytë me 11 pikë nga gjashtë ndeshje. Anglia është e para me 15 pikë nga pesë ndeshje, kurse Serbia renditet në vendin e tretë me shtatë pikë. Serbia po ashtu ka pesë ndeshje. Serbia të martën mbrëma luan në udhëtim ndaj Andorrës.

Sylvinho ka theksuar se fitorja ndaj Serbisë kishte peshë të madhe.

“Sa shqiptar ndihem tani? Pas Evropianit 7. Pas ndeshjes me Serbinë ndihem 8.5 ose 9. Aty u luajt futboll në fushë, por e kuptoj dhe rëndësinë e ndeshjes. Përveçse jam trajner dhe ish-lojtar, jam relativisht inteligjent dhe besoj se në fushë u luajt futboll, por sigurisht e kuptoj rëndësinë që kishte ndeshja, për tifozët e po ashtu edhe për të gjithë”, ka theksuar Sylvinho.

Tekniku brazilian thotë se Shqipërinë e presin dy ndeshje të mëdha në nëntor.

“Mendojmë për hapin tjetër të rëndësishëm që vjen në nëntor. Kjo është qasja që duhet të kemi dhe jemi përqendruar për të dhënë maksimumin në ato dy ndeshje. Pres nga shikuesit ta mbështesin këtë kombëtare, pasi është kombëtare që lufton me gjak, me shpirt e me zemër. Mund të ndodhë që mund të pësojmë disfatë, apo mos të shënojmë gol. Por asnjëherë nuk i kanë munguar gjaku, shpirti dhe zemra kësaj skuadre. Ne e dimë se nuk kemi rrugë tjetër përveç të ecim para. Nuk kam parë asgjë, e njoh veten time dhe i gjithë fokusi është te ndeshjet e nëntorit. Nga nesër mund të përdoren shumë gjëra që do të na shërbejnë për ndeshjet e nëntorit. Mendja është te hapat e tjerë deri në nëntor”.

Sylvinho ka folur për kritikat që kishte ai dhe lojtarët para ndeshjes me Serbinë. Por thekson se janë mësuar me ulje-ngritjet.

“Kam luajtur 15 vjet si lojtar dhe 5-6 vjet jam si trajner. Jemi të mësuar me këto ulje-ngritjet. Marr shembull Rey Manajn, të cilin e njoh prej vitit 2014. Shumë respekt për të si lojtar, por të gjithë kur ai nuk shënonte thoshin se nuk bën si lojtar, ndërkohë tani që ka shënuar bën dhe funksionon si lojtar. Ne jemi të mësuar me një jetë të tillë. Është një jetë e një trajneri dhe lojtari. Për të ardhmen time mendoj vetë, tani kemi hapa të tjerë që na presin. Na vjen një pjesë e rëndësishme në nëntor”, ka thënë Sylvinho.

Ai ka njoftuar se do të ketë ndryshime në formacion për ndeshjen ndaj Jordanisë. Një prej lojtarëve që pritet ta ketë rastin të luajë është Klisman Cake. Ai dhe Nazmi Grishpi u ftuan për herë të parë te Shqipëria.

Cake ka thënë se te klubi i tij, Shkëndija e Tetovës, i janë gëzuar ftesës.

“Te klubi i Shkëndijës janë gëzuar shumë, duke ditur sa shumë e duan kombëtaren shqiptare dhe sa patriotë janë për Shqipërinë. Janë gëzuar shumë duke filluar nga kryesia, lojtarët. Gjithë ekipi më ka përgëzuar dhe më ka uruar sa më shumë suksese dhe më uruan të fitojmë ndeshjen ndaj Serbisë, e cila ishte ndeshja kryesore”, është shprehur Cake.

Mbrojtësi 26-vjeçar ka ftuar tifozët për festë dhe përkrahje.

“Nesër i ftoj të gjithë tifozët nga e gjithë shqiptaria. Ashtu siç kanë dalë në rrugë për të festuar, Shqipëri, Maqedoni, Kosovë dhe diasporë, i ftoj nesër të vijnë të gjithë në stadium dhe të festojmë së bashku. Ta festojmë së bashku atë fitore të madhe që e arritëm”, ka thënë Cake.

Ai më herët ka luajtur tri ndeshje për Shqipërinë U21. Vlerësohet prej lojtarëve potencialë për t’u ftuar edhe në të ardhmen tek ekipi A i Shqipërisë.