Diar Vokrri është futbollisti i radhës që largohet nga Kosova U21 për ta përfaqësuar Shqipërinë U21 në të ardhmen.
Vokrri, futbollisti i Ballkanit që është rritur dhe zhvilluar te Llapi, ka vendosur që pas pesë paraqitjeve me U21 të Kosovës, të luajë me “kuqezinjtë”. Mbrojtësi 21-vjeçar i krahut të djathtë të shtunën u përfshi në listën e përzgjedhësit të Shqipërisë U21, Alban Bushi. Ndërkohë nuk ishte në listën e Kosovës U21, që po ashtu u publikua të shtunën.
Ai e la në gjysmë kampanjën kualifikuese për “Euro 2027” me Kosovën. Kosova më 14 e 18 nëntor luan dy ndeshje kualifikuese në udhëtim, ndaj Qipros dhe Finlandës.
Shqipëria U21 ka miqësore me Moldavinë dhe Ukrainën. Evropiani U21 pas dy vjetësh organizohet nga Shqipëria dhe Serbia. Rrjedhimisht Shqipëria, si e kualifikuar direkt, luan vetëm miqësore.
Përzgjedhësi i Kosovës U21, Afrim Tovërlani, ka reaguar për vendimin Vokrrit.
“Diari ka gëzuar mbështetjen e madhe nga ne. Kjo është temë e mbyllur për mua. Pyetni zyrtarët e FFK-së nëse po gënjej diçka. Për mua është e shenjtë fanella ‘Dardane’ apo – ‘Dardhane’”, ka deklaruar Tovërlani për KOHËN.
Lista e lojtarëve që kanë kaluar nga Kosova te Shqipëria, por edhe në disa përfaqësuese të tjera është rritur më shumë. Kapiteni i Kosovës U21, Etnik Brruti u largua në mars. Tani luan për Shqipërinë U21.
Kapitenët e tjerë të kësaj grupmoshe, Ardian Ismajli dhe Edvin Kurtulush, ishin larguar më herët. Shumë të tjerë që vlerësoheshin të rëndësishëm janë larguar përgjatë vjetëve të fundit nga Kosova. Besfort Zeneli që vendosi për Suedinë, u largua në shtator të vitit të kaluar. Janë larguar edhe Arbër Hoxha, Mirlind Daku, Arbnor Muja, Adrion Pajaziti, Medon Berisha, Dion Berisha, Ermir Rashica e lojtarë të tjerë. Uran Bislimi kishte paraqitje dhe gol të shënuar me Kosovën A. Por më pas refuzoi t’i bashkohej “Dardanëve”.
Përzgjedhësi i Shqipërisë U21, Alban Bushi deklaroi të shtunën se Diar Vokrri do të jetë ndihmë e madhe për “kuqezinjtë”.
“Vokrri është një prurje shumë e rëndësishme e jona. Duhet ta falënderoj që e zgjodhi Shqipërinë. Është një lojtar shumë i mirë. Mendoj që do të na ndihmojë shumë”, ka deklaruar Bushi.
Ka lojtarë që lëvizin edhe në drejtim tjetër – për te Kosova. Leon Avdullahu e Albian Hajdari së fundi iu bashkuan Kosovës, ndonëse ishin në planet e Zvicrës.