Mërgim Vojvoda ka asistuar në dy prej tri golave të shënuar nga Como të shtunën, në fitoren në udhëtim ndaj Lececs. Vojvoda asistoi për Nico Pazin në minutën e 20-të të ndeshjes për rezultatin 1:0, kurse Jacobo Ramon e shënoi golin e dytë për mysafirët, po ashtu me asistim të futbollistit të Kosovës.
Dhe kështu, Como me fitoren 3:0 është forcuar në pozitën e gjashtë me 27 pikë, pozitë kjo që dërgon në kualifikimet e Ligës së Konferencës për edicionin tjetër.
Ndërkohë, Vojvoda regjistroi dy asistime në edicionin aktual të Serie A të Italisë, krahas edhe një goli të shënuar. Luajti deri në minutën e 84-t.
Te Como i janë gëzuar fitores në xhiron e 17-të të elitës italiane të futbollit dhe shpresojnë të vazhdojnë me ecuri pozitive të rezultateve. Te Lecce ishin të zemëruar me disfatën. Kështu të paktën ka deklaruar pas ndeshjes mesfushori i Shqipërisë, Ylber Ramadani. Ramadani u zëvendësua në minutën e tretë të kohës shtesë, por ka thënë se ka marrë lëndim në dhëmbë pas goditjes së marrë në momentin kur u shënua goli i parë. Ramadani pretendon se u godit me bërryl nga ylli argjentinas, Paz. Tha se ende ka dhimbje në dhëmbë. Pas protestave të shumta për atë rast, trajneri Eusebio Di Francesco u përjashtua direkt me të kuq nga gjyqtari kryesor i ndeshjes. Situata nuk u shikua sërish në VAR. Kjo ka irrituar trajnerin e Lecces dhe lojtarët.
Kritika ndaj gjyqtarëve, Ramadani dhe të tjerët te Lecce kanë pasur edhe në disa ndeshje të tjera.
“Incidenti te goli për 1:0? Trajneri kishte të drejtë që reagoi sepse e ndryshoi lojën. Nuk jam nga ata që rrëzohen lehtë, ende kam dhimbje në dhëmbë nga goditja. Në Romë na u mohua një gol për arsye qesharake. Në rastin tonë është dashur të shikohej situata. Në pjesën e dytë ne u kthyem në lojë por pranuam gol në momentet më të mira. Prita që do ta barazonim rezultatin nga ajo se si po shkonte ndeshja, por u ndëshkuam. Duhet të jemi më të bashkuar për të shmangur gola të tillë, por incidenti e vendosi ndeshjen. Nuk kam parë kurrë gjyqtarë të tillë. Por, nuk preferoj të shkoj më tej. Vetëm do të them se ishte faull dhe kaq”, ka deklaruar Ramadani për “DAZN” pas ndeshjes.
“U shkaktuam probleme në pjesën e dytë. Como luajti mirë, por ne ishim aty duke luajtur mirë para se ta pranonim golin e dytë. E luajtëm lojën tonë. Tani kemi ndeshje të vështira para, por duhet ta nisim nga fillimi. Duhet të jemi më të bashkuar”.
Lecce vazhdon garën e fortë për mbetje në Serie A edhe për sezonin tjetër. Aktualisht i ka 16 pikë në vendin e 16-të.