Xhandarmëria e Bukureshtit njoftoi të mërkurën masat e rendit publik dhe sigurisë për ndeshjen FCSB – Drita.
Autoritetet rumune kanë vendosur një sërë rregullash strikte për shikuesit dhe sjelljen në stadium për tifozët.
Ndeshja e parë e raundit të tretë të Ligës së Evropës do të zhvillohet të enjten, në “Arena Nationala”, në Bukuresht nga ora 20:30.
Sipas njoftimit të publikuar nga mediumet rumune të mërkurën do të ketë kontrolle rigoroze nga xhandarmëria e Bukureshtit.
“Qasja e spektatorëve në arenën sportive do të kryhet nën drejtimin e forcave të rendit, pas një kontrolli rigoroz nga xhandarmëria dhe kompania e specializuar e mbrojtjes dhe sigurisë. Për këtë ndeshje, për arsye sigurie, do të merren masa shtesë për të kontrolluar automjetet dhe njerëzit, me qëllim parandalimin e futjes në stadium të materialeve piroteknike dhe objekteve të tjera të ndaluara nga kuadri rregullator në fuqi”, shkruan në njoftimin e xhandarmërisë.
Tutje, xhandarmëria ka rekomanduar mbështetësit e Dritës të shmangin lëvizjen në rrugë e që do të shfrytëzohen nga mbështetësit e FCSB-së.
Xhandarmëria ka paralajmëruar tifozët se do të ketë dënime nëse në stadium shfaqin simbole të ndaluara.
“Në përputhje me ligjin e vitit 2002 në lidhje me ndalimin e organizatave, simboleve dhe akteve me natyrë fashiste, legjionare, raciste ose ksenofobe dhe promovimin e kultit të personave fajtorë për kryerjen e krimeve të gjenocidit kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës, akti i një personi për të promovuar, në publik, kultin e personave fajtorë për kryerjen e krimeve të gjenocidit kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës, si dhe akti i promovimit, në publik të ideve, koncepteve ose doktrinave fashiste, legjionare, raciste ose ksenofobe, dënohet me burgim nga 3 muaj deri në 3 vjet dhe ndalimin e të drejtave të caktuara”, shkruan në njoftimin e xhandarmërisë së Bukureshtit.
Mediumet në Rumani kanë bërë të ditur se zyrtarët e Dritës kanë informuar si FCSB-në ashtu edhe UEFA-n se nuk do të kenë asnjë tifoz të pranishëm në Bukuresht.
“Kanë sugjeruar që edhe FCSB të bëjë të njëjtën gjë. Pra të mos sjellë tifozë më 14 gusht në Prishtinë”, shkruan “sport.ro”.
Te FCSB presin numër të vogël shikuesish. Nga klubi rumun kanë bërë të ditur se deri 15 mijë shikues do të jenë të pranishëm në stadium.