(KD) – Pasi fitoi pak minuta ndaj Borussia Dortmundit dhe Veronas, Edon Zhegrovës iu rezervua kohë më e madhe në ndeshjen që të shtunën Juventusi e luajti ndaj Atalantas.
Si në dy ndeshjet e kaluara në të cilat luajti Zhegrova, Juve barazoi. 1:1 ishte rezultati i takimit të xhiros së pestë të Serie A. Sulmuesi i Kosovës luajti prej minutës së 64-t, ndërsa pas aktivizimit të tij Juve e shënoi golin e barazimit.
Zhegrova ishte shumë aktiv, duke i shkaktuar telashe të shumta mbrojtjes së Atalantas. Por Juve sërish mbeti pa fitore.
Te gjiganti italian megjithatë janë të kënaqur me kontributin e kosovarit.
“Ai është djalosh që sapo ka arritur. Ka pasur pak kohë për të hyrë në mekanizmin e ekipit. Ai do të jetë në gjendje të demonstrojë këto kualitete sërish në të ardhmen”, ka thënë trajneri i Juventusit, Igor Tudor.
Pra kroati ka folur për “kualitete” të Zhegrovës.
Mediumi i afërt me Juventusin, Tutto Sport, e ka vlerësuar Zhegrovën me notën 6.5.
“Ai hyri në lojë dhe mahniti tifozët në ‘Allianz’ me dy lëvizje në stilin e futsallit. Ka aq shumë kualitet, por së pari duhet të kthejë formën e lartë”, ka shkruar Tutto Sport.
Zhegrova përmes një postimi, që është cituar në mediat e shumta italiane, ka shkruar se “duhet të vazhdojnë edhe më fort”.
Mediumi “Tutto Mercato Web” ka shkruar se Zhegrova ka shfaqur iniciativë, punë të shkëlqyer me këmbë dhe dëshirë për të pasur ndikim.
“Ai ka pasur shumë kontakte me topin, me gjithë kohën e limituar të lojës. Ka demonustruar besimin që bashkëlojtarët tashmë kanë në potencialin e tij. Pasi gjendja e tij fizike të përmirësohet, ai do të jetë më i pavarur dhe me gjasë do të shtojë edhe gola e asistime”, ka shkruar ky medium.
Një postim për Zhegrovën e ka bërë edhe Juventusi në profilet zyrtare në rrjetet sociale.
“Edoni është gati që nga lindja”.
Ndeshja e ardhshme e Juventusit është ndaj Villarrealit në Ligën e Kampionëve, më 1 tetor. Pritet të jetë tjetër mundësi e kosovarit për të shfaqur potencialin. Menjëherë më 5 tetor, Juve e luan derbin me Milanin.