Kronikë

Gjashtë vjet burgim për vrasje të rëndë në tentativë në një lokal në Gjakovë

Gjykata Themelore në Gjakovë

Gjykata Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit S.P, i cili u shpall fajtor për veprat penale “vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas njoftimit të gjykatës, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Sulltan Dobraj, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, e dënoi të pandehurin me dënim unik prej gjashtë vjetësh burgim.

"Ngjarja kishte ndodhur më 11 prill 2025, rreth orës 13:10, në rrugën “Bardhyl Qaushi” në Gjakovë, kur S.P. kishte tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin P.N., duke rrezikuar edhe jetën e A.N.. Sipas aktakuzës, pas një mosmarrëveshjeje për pagesën e pijes në lokalin e tij “B.C.”, i pandehuri kishte marrë armën e tipit Zoraki 9x9 mm, dhe kishte shtënë tre herë në drejtim të të dëmtuarve. Dy plumba kishin goditur P.N. në këmbën e djathtë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, ndërsa A.N. kishte shpëtuar pa u lënduar", thuhet në njoftim.

Pas ngjarjes, S.P. ishte larguar nga vendi i krimit me armë në dorë dhe kishte qëndruar në arrati për rreth tre javë, para se të arrestohej nga policia.

Prokuroria Themelore në Gjakovë kishte ngritur aktakuzë ndaj S.P në qershor.