Kronikë

Dy të akuzuar e pranojnë fajësinë për rastin e subvencioneve

Gjon Musolli dhe Halit Berisha e kanë pranuar se kanë ofruar të dhëna të pasakta për të përfituar subvencione bujqësore. Ata pranuan fajësinë të hënën në seancën e shqyrtimit fillestar, derisa prokurori i rastit, Rafet Halimi, ka kërkuar rrethanë lehtësuese për të pandehurit pasi “iniciativa për ryshfet ka qenë e zyrtarëve publikë”.

“Nuk kam mundur të marrë grante e as subvencione asnjëherë. Asnjëherë me qejf s’e kam bërë”, ka thënë Musolli, derisa avokati i tij, Kujtim Kërveshi, është shprehur se klienti ka qenë i shtyrë për ta bërë këtë “sepse përndryshe nuk do të përfitonte asnjë subvencion”.

Ai ka shtuar se përshkrimi në aktakzuë është i saktë.

Ndërsa, avokati i Berishës, Admir Salihu, është shprehur se “klienti ka qenë i obliguar për të tjerët për të përfituar subvencion”.

“I mbrojturi im e ka pranuar fajësinë me vullnet të lirë”, është shprehur Salihu.

“Pranimi i fajësisë lidhet me faktet që përmban aktakuza. Aktakuza nuk përmban shkelje të qarta ligjore ose gabime faktike”, ka thënë gjyqtari Mentor Bajraktari.

Shpallja e aktgjykimit për fermerët që pranuan fajësinë u caktua për datën 16 shkurt 2024.