Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. A.R., L.G., D.T., A.A. dhe F.T. dyshohen për keqpërdorime lidhur me patentë shofer.
Sipas aktakuzës A.R., në cilësinë e ekzaminerit, nga data 18 korrik e vitit 2022 deri më 22 shtator të po atij viti, ka ndihmuar disa kandidatë me rastin e testimit teorik për patentë shofer, duke u treguar pyetjet e sakta.
I akuzuari tjetër L.G, më 18 korrik të vitit 2022 në Pejë, si asistent administrativ në njësinë për patentë shofer në Pejë, ia mundësoi paraqitjen e provimit një kandidati pa kryer fletëpagesën, pasi kandidati kishte rënë disa herë nga provimi. Sipas aktakuzës, thuhet se ai kishte shfrytëzuar fletëpagesën e provimit të kaluar, ndërsa kandidati i njëjti kur e paraqiti provimin u fut dhe e kaloi testin teorik. Por, fletëpagesa ishte e pavlefshme.
“Me këto veprime i pandehuri L.G. ka kryer vepër penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga KPRK-së”.
Të pandehurit D.T., A.A. dhe F.T. akuzohen se nga data 6 janar e vitit 2022 deri më 13 shtator në Deçan, si zyrtar të një autoshkolle, ia plotësuan disa kandidatëve librezën e orëve kinse të kryera, ani pse kandidatët nuk ishin fare në Kosovë në atë kohë. Të njëjtët më pas iu nënshtruan provimit për patentë shoferë.
“Prokurori i rastit me rastin e ngritjes së aktakuzës përpos që ka kërkuar dënimin e të pandehurve, ka propozuar edhe shqiptimin e dënimit plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik dhe ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës. Prokuroria Themelore në Pejë mbetet e përkushtuar për luftimin e veprave penale nga kapitulli i korrupsionit dhe ndjekjen e kryeseve të këtyre veprave penale sipas Kodit të Procedurës Penale dhe Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.