Gazetari Valon Syla është dërguar në mbajtje për 48 orë, nën dyshimin për dy vepra penale, “Dhunë në familje” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar rastin për KOHËN, ndërsa ka thënë se për informata të tjera do të njoftojë me kohë.
Deri në publikimin e artikullit, KOHA e ka pasur të pamundur të bjerë në kontakt me ndonjë përfaqësues të gazetarit Syla. Sapo të ketë reagim nga ai apo përfaqësuesit, ajo do të publikohet.
Syla dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj partneres së tij.
Vetë Syla në të kaluarën ka qenë i sulmuar fizikisht. Në një rast, tre persona janë dënuar me nga dy vjet burgim për rrahjen e tij.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pasi lajmi u bë publik dhe nxiti reagime, ka shkruar në rrjete sociale se “dhuna në familje nuk ka justifikim dhe askush nuk është mbi ligjin”.
“Dhuna në familje është akt i papranueshëm që nuk përbën vetëm një shkelje të rëndë ligjore, por edhe një goditje morale ndaj përpjekjeve të përbashkëta për të ndërtuar një shoqëri të sigurt dhe të drejtë për të gjithë. Dhuna në familje nuk është çështje private, është krim, dhe kur ushtrohet nga persona publik, përgjegjësia është edhe më e rëndë. Asnjë pozicion publik, zë mediatik apo influencë nuk mund të shërbejë si mburojë ndaj ligjit dhe llogaridhënies”, ka shkruar ajo.
Haxhiu u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë të veprojnë me paanshmëri dhe në përputhje të plotë me ligjin, teksa ka kërkuar nga mediat të mos heshtin përballë dhunës.