Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Kërkohet paraburgim për tre shtetas të Shqipërisë që u kapën me 1 milion euro të padeklaruara

Pako me Para

Prokuroria Speciale ka kërkuar paraburgim për tre shtetas të Shqipërisë, të cilët janë arrestuar një ditë më parë pasi në një minibus me targa shqiptare janë gjetur rreth një milion euro para të padeklaruara. Paratë kanë qenë të fshehura në një hapësirë të modifikuar në dyshemenë e automjetit dhe janë zbuluar gjatë kontrollit në pikën doganore në Merdar. Njëri nga të dyshuarit, i cili ka punuar si polic në Tiranë, është pezulluar nga detyra

Është deponuar në Gjykatë kërkesa për paraburgimin e tre shtetasve të Shqipërisë, të cilët janë kapur të martën me rreth 1 milion euro para kesh të padeklaruara e të fshehura në një hapësirë të modifikuar në dyshemenë e një minibusi. Paratë janë gjetur në pikën kufitare të Kosovës me Serbinë, Merdar.
Në kërkesën e Prokurorisë Speciale thuhet se të tre të ndaluarit janë të dyshuar për veprën penale “Shpëlarje e parave”.

“Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, më 24.02.2026, rreth orës 13:00, kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës me një furgon të tipit ‘Sprinter’, me targa shqiptare, të cilin e drejtonte i pandehuri E.A., i shoqëruar nga të pandehurit A.K. dhe A.L. Të njëjtit, pasi ishin ndaluar në pikën doganore në Merdar, ishin shprehur se nuk kishin asgjë për të deklaruar”, kanë thënë në Prokurorinë Speciale.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas fotografive të publikuara nga Dogana, në një hapësirë të modifikuar në brendi automjetit janë gjetur 18 pako me para, të përbëra nga bankënota të ndryshme prej 10, 20, 50, 100 deri në 200 euro, secila me nga një numër të shënuar në qesen me të cilën janë mbështjellë.

Minibusi, i cili po qarkullonte nga Serbia në drejtim të Kosovë, ka qenë pa udhëtarë, gjë kjo që për zyrtarë të Doganës ka përbërë indikacion për kontroll të detajuar.

Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, ka thënë se identifikimi i këtij rasti është mundësuar falë skanerëve me rreze X, të cilët janë donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) e të cilët janë vendosur më 24 janar të këtij viti.

“Në këtë rast fillimisht, sipas indikacioneve të para, oficerët e kanë stopuar këtë automjet dhe kanë kërkuar që të futet në kontroll përmes skanerit. Derisa pas kontrollit që i është bërë me skaner, i kemi vërejtur disa hapësira që nuk do të duhet të ishin aty apo nuk do të duhej të ishin të mbushura në pjesën e dyshemesë së këtij mjeti”, ka theksuar ai.

Stavileci ka thënë se me ndihmën e këtij skaneri janë zbuluar edhe 2.5 kilogramë kokainë, një rast tjetër me marihuanë dhe një shumë e parave. 

Aurel Kaziu, njëri nga të ndaluarit, është pezulluar nga detyra si polic në Tiranë me vendim të Drejtorisë së Standardeve Profesionale të Policisë së Shtetit.