Për të dytën herë është shpallur fajtor kryetari i komunës së Klinës, Zenun Elezaj, për veprën penale “konflikt interesi”.
Gjykata e Pejës atë e ka dënuar me 4 mijë euro gjobë, për shkak se në vitin 2018 kishte ndikuar që vajza e tij të punësohej në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjarë në komunën ku ai e udhëheq.
Elezaj ishte shpallur fajtor edhe në dhjetor të 2020 nga po kjo gjykatë dhe ishte dënuar me gjobë të njëjte e me ndalim për dy vjet të funksionit në administratë, por rasti u kthye në rigjykim si shkak i ankesës në Apel.
Dallimi nga dënimi i parë është se Elezajt, që fitoi edhe një mandat në muajin e shkuar për të udhëhequr Klinën, nuk do t’i ndalohet ushtrimi i detyrës së kryetarit.
Ai akuzohej se më 20 shkurt 2018, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Klinës, duke e ditur se vajza e tij, ka për të aplikuar në pozitën “Mjeke e praksës së përgjithshme”, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Klinë, ka marrë pjesë personalisht në këtë çështje zyrtare, duke marrë vendim për formimin e komisionit për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies së punës. Sipas aktakuzës, komisioni të cilin Elezaj e kishte formuar e kishte përzgjedhur si punëtore vajzën e kryetarit të Klinës, duke e punësuar atë në QKMF-në “Nëna Terezë”, në Klinë. Në aktakuzë thuhej se hetimet ndaj kryetarit të Klinës, kanë filluar nga kallëzimi penal i ushtruar nga Agjencia Kundër Korrupsion në Prishtinë, ku sipas opinionit të dhënë për prokurorinë, AKK-ja kishte përcaktuar se kryetari i Komunës duhet të përjashtohet nga çfarëdo çështje vendimmarrëse dhe administrative që kanë të bëjnë me ndonjë anëtar të afërm të familjes.
Kujtim Kërveshi, avokati i Elezajt, ka thënë se për këtë aktgjykim trupi gjykues nuk është mbështetur në asnjë provë. Ai është shprehur se në rigjykim, janë dëgjuar dy dëshmitarë me dëshmi shfajësuese për Elezajn. Ka paralajmëruar ankesë në Apel duke thënë se kjo gjykatë “do t’i japë epilog meritor kësaj sage të re të drejtësisë”.