Kronikë

Lëndoi dy zyrtarë policorë në Fushë-Kosovë, i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt

Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një të dyshuar në Fushë-Kosovë për sulm ndaj zyrtarëve policorë. I dyshuari kishte tentuar t’i godiste me veturë zyrtarët policorë e më pas njërin e kishte goditur me telefon. Dy policë kanë pësuar lëndime.  I dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt. 

“Rr. Pajazit Islami, Fushë Kosovë  05.08.2025 – 16:15. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që fillimisht me veturë kishte tentuar t'i godasë zyrtarët policorë dhe më pas kishte goditur me telefon njërin nga zyrtarët. Dy zyrtarë kanë pësuar lëndime. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

E  në një rast tjetër një i dyshuar kishte penguar zyrtarin policor në Pejë në kryerje të detyrës. Zyrtari ishte duke i shqiptuar tiketë trafiku. Edhe ky rast ka shkuar në procedurë të rregullt. 

“Rr. Mbretëresha Teutë, Pejë  05.08.2025 – 16:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që kishte kanosur dhe penguar zyrtarin policor gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, i cili ishte duke i shqiptuar një gjobë trafiku. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.