Një qytetar nga Zubin-Potoku ka rënë pre e një mashtrimi, pasi i ka dërguar 1 mijë euro përmes “Western Unionit” në Bosnje dhe Hercegovinë një personi të panjohur, i cili ishte prezantuar rrejshëm si zëvendësdrejtori i Policisë për veriun, nënkolonel Veton Elshani.
Sipas njoftimit të Policisë, pas marrjes së shumës, i dyshuari ka ndërprerë komunikimin me viktimën. Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si vepër penale “Mashtrim” dhe po hetohet nga njësitë përkatëse policore.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se raste të ngjashme janë raportuar edhe më parë në disa qytete të Kosovës, ku persona të dyshuar kanë përdorur emrin e Elshanit për të kërkuar ndihma financiare.
Policia u bën thirrje qytetarëve që të mos bien pre e thirrjeve apo mesazheve të dyshimta, të mos dërgojnë para përmes kanaleve të pasigurta dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të ngjashëm.
“Mos u besoni personave të panjohur që prezantohen si zyrtarë policorë dhe kërkojnë mjete financiare. Siguria juaj është prioriteti ynë”, thuhet në apelin e Policisë së Kosovës.