Kronikë

Në Jarinjë në autobusin e linjës Mitrovicë – Beograd, zbulohen 18 migrantë të paligjshëm

Pika kufitare në Jarinjë

Foto: Driton Paçarada

Policia e Kosovës ka thënë se në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, gjatë kontrollit në një autobus të linjës Mitrovicë – Beograd janë zbuluar 18 migrantë të paligjshëm. 

Policia ka njoftuar se shtetasit e huaj, që nuk kishin të drejtë hyrjeje apo kalimi në territorin e Kosovës, gjendeshin në katin e dytë të autobusit. 

“Hetimet e para dhe intervistat me personat përgjegjës tregojnë një përpjekje të qëllimshme për kontrabandim të migrantëve”, ka njoftuar Policia.  

Pronari i kompanisë së autobusëve, G. A., dhe shoferi B. D., kanë mohuar përgjegjësinë, por Policia ka thënë se provat dhe verifikimet tregojnë përfshirjen direkte të tyre në organizimin e transportit të migrantëve në mënyrë të paligjshme. Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Janë kapur 5 palestinezë, 6 shtetas të Bangladeshit që posedonin viza pune, por ishin subjekt i vendimeve për largim nga Kosova dhe 7 shtetas të Egjiptit që në Kosovë kishin hyrë përmes Shqipërisë dhe synonin kalimin në Serbi dhe më tej drejt vendeve të BE-së.

“Nga verifikimi i dokumenteve rezulton se: 5 shtetas palestinez kishin hyrë në Kosovë me pasaporta jordaneze përmes Aeroportit të Prishtinës më 23.08.2025; 6 shtetas nga Bangladeshi posedonin viza pune, por ishin subjekt i vendimeve për largim nga Kosova; 7 shtetas egjiptian kishin hyrë në Kosovë përmes Shqipërisë dhe synonin kalimin në Serbi dhe më tej drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Te dyshuarit janë  intervistuar në prezencën e avokatëve mbrojtës dhe janë dërguar në mbajtje”, ka njoftuar Policia. “Viktimat janë trajtuar sipas procedurave ligjore nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj e Policisë së Kosovës Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër migrimit të paligjshëm, kontrabandës me njerëz dhe çdo veprimtarie që cenon sigurinë dhe rendin kushtetues”. 


 LEXO EDHE: